Emri i tij i vërtetë është- NËNTOR NJËZET E TETË!

Ditën e martë, 26.01.2021, në sallën “Ismail Qemal Vlora”, pranë shtabit elektoral të PD, zbukuruar vetëm me fotografi nga aktiviteti politik e shtetformues i Atit të Kombit, Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” në bashkëpunim me Shoqatën Mbarëkombëtare “Ismail Qemali Vlora” zhvilluam Akademinë Përkujtimore: “Ismail Qemal Vlora- themelues i shtetit shqiptar”.

Veprimtaria u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Dr. Bujar Lleskaj.

Në këtë veprimtari, ishin të pranishëm intelektualë të Vlorës, personalitete të ndryshme të jetës së qytetit, si edhe të ftuar nga Tirana!

Aktivitetin e nderoi me pjesëmarrjen e tij, stërnipi i Ismail Qemalit, Qemal Vlora.

Pas nderimit të Himnit Kombëtar Drejtuesi Politik i qarkut Vlorë, njëkohësisht drejtues i Institutit të Studimeve Politike, “Ismail Qemal Vlora” mbajti një kumtesë për Ismail Qemalin, si Ati i Kombit, shtetari i madh, vizionari si Ai.

“Ismail Qemali u largua nga jeta më 24 janar 1919, për të hyrë dhe qëndruar në altarin e pavdekshmërisë sonë kombëtare, si shtetari më i madh që kemi patur dhe figura më e dashur politike dhe e iluminuar e shqiptarisë!”- theksoi zoti Leskaj në fjalën e tij.

Në këtë aktivitet u mbajtën disa kumtesa rreth figurës, aktivitetit, personalitetit, rolit dhe ndikimit të Ismail Qemalit në poezinë popullore, shpirtin e kombit dhe në jetën 110 vjeçare të shtetit shqiptar.

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, bashkëdrejtues i aktivitetit mbajti një kumtesë për jetën dhe veprën e Atit të Kombit.

Studiuesi Gëzim Zilja, ish- deputet dhe ish- kryetar i bashkisë së Vlorës, mbajti kumtesën: “Katër telegrame të Ismail Qemalit”, drejtuar kancelarive të Evropës dhe institucioneve shqiptare të kohës, duke shpalosur kështu personalitetin politik dhe vizionin e ardhmërisë së tij.

Dr. Albert Abazaj mbajti kumtesën: “Ismail Qemal Vlora dhe flamuri kombëtar në poezinë popullore shqiptare”.

U lexua kumtesa e z. Ndriçim Kulla: “Ismail Qemali, politikani më i shquar në historinë e Shqipërisë, pas Heroit kombëtar, Skënderbeut”.

Akademinë Përkujtimore e përshëndeti edhe stërnipi i i Atit të Kombit, zoti Qemal Vlora.

Në fjalën përmbyllëse Dr. Bujar Leskaj theksoi: “Kjo veprimtari është një pikë uji në oqean, në nderim të veprës së Atit të Kombit me shpresën që shumë shpejt ashtu si edhe në Prishtinë të ngremë bustin e tij edhe në Shkup!”

Në përfundim të aktivitetit të pranishmit në Akademinë Përkujtimore për nder të Ismail Qemal Vlorës, kryen homazhe dhe vendosën kurora dhe tufa me lule dhe u përulën me veneracion në varrin e Atit të Kombit tonë, themeluesit të shtetit të parë shqiptar!

Një kurorë, si: “Apoteozë madhështore e të gjithë popullit, kurorë që AI e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij…”

Aktiviteti pati një jehonë të gjerë në qytetin e Vlorës, jo vetëm në media, por edhe në interesimin e qytetarëve e intelektualëve vlonjatë, të cilët në ditëvdekjen e Atit të Kombit, kujtuan patriotin e madh dhe detyrimin që kanë të gjithë shqiptarët ndaj figurave të tilla, të cilat përbëjnë themelet e fuqishme mbi të cilat ngrihet kombi ynë.