Situatë e rëndë nga përmbytjet në Shkodër, Kryebashkiakja: Do të kërkojmë gjendjen e emergjencës civile në nivel lokal

Rëndohet situata e përmbytjeve në Bashkinë e Shkodrës. Për këtë arsye, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi deklaroi sot se, do të kërkojë gjendjen e emergjencës civile në nivel lokal.

Kryebashkiakja tha më tej se, sot uji ka hyrë në dy banesa në Obot të Anës së Malit, familjarët e të cilave janë evakuuar. Po ashtu, në Darragjat ka nisur evakuimi i gjësë së gjallë..

Deklarata e plotë e kryebashkiakes Ademi

Situata e përmbytjeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës është e rënduar ditën e sotme. Ka rritje të ndjeshme të sipërfaqes nën ujë dhe parashikohet që në ditët në vijim të ketë rritje të sipërfaqes dhe nivelit të ujit. Mbi 200 ha tokë bujqësore e mbjellë nën ujë.

Sot uji ka hyrë në dy banesa në Obot të Anës së Malit, familjarët e të cilave janë evakuuar. Po ashtu, në Darragjat ka nisur evakuimi i gjësë së gjallë.

Emergjencë vazhdon të mbetet ushqimi për gjënë e gjallë, ku akoma nuk ka një përgjigje nga Institucioni i Prefektit të Qarkut dhe Ministria e Bujqësisë për kërkesën tonë për furnizim, kërkesë e bërë që me 14 janar 2021.

Në këto kushte, do të veprojmë me fondet e emergjencave civile të Bashkisë së Shkodrës, duke nisur procedurat për sigurimin ushqimit për gjënë e gjallë në një sasi rreth 200 ton koncentrat.

Do të kërkojmë gjendjen e emergjencës civile në nivel lokal për të mundësuar përgjigjen ndaj situatës aktuale, por edhe asaj post- përmbytje.

1 63

2 57

4 15

5 8