Laboratorët europianë të narkotrafikut

Në Hollandë organizatat kriminale prodhojnë drogë sintetike me ndihmën e kimistëve meksikanë, të ardhur falë një marrëveshje me kartelet e fuqishme të vendit qendroamerikan.

Mafia hollandeze e drogës preferon që të punojë në vende të qeta e të izoluara si ky: Herwijnen, 2500 banorë, një fshat i provincës Gheldria, në pjesën verilindore të Hollandës. Tani gjithçka është e qetë dhe vendasit nuk duan të flasin. “Nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar asgjë, kemi folur mjaft me gazetarët”, thotë Geert, që kalon nga këto anë në timonin e Citroën të tij të vjetër. Megjithatë, dita e 6 qershorit 2020 ka qenë shumë e tensionuar në këtë fshat të vogël rural. Atë ditë policët e armatosur deri në dhëmbë të shërbimit të forcave speciale kanë shembur portën e një ferme për të hyrë në një kapanon të madh. Disa mesazhe të interceptuara në EncroChat, një platformë komunikimi e krijuar nga organizata kriminale dhe e piratuar nga forcat e rendit franceze e hollandeze, kanë zbuluar praninë e një laboratori klandestin. Nga shkurti këtu prodhohej në shkallë të gjerë crystal meth, metanfetamina në kristale, më e pastra, më e rrezikshmja dhe ajo që krijon më shumë varësi.

Hetuesit kanë zbuluar një sasi gjiganteske droge sintetike në faza të ndryshme përgatitore: 75 kilogram kristale, 1200 kilogram pluhur metanfetamine dhe 775 litra vaj gati për t’u transformuar. Pastaj një surprizë e mëtejshme: dy meksikanë, të quajtur “polli” o “mexes” në shkëmbimet e mesazheve në platformën e kriptuar. Jetonin në një rulot dhe u kanë thënë policëve se qenë vendosur aty për të mos ju kundërvënë urdhërave. Pronarët e kapanonit kanë deklaruar se nuk e dinin çfarë ndodhte brënda. Fqinjët kanë pranuar se ecejaket e mëdha të makinave natën aty i kishte bërë pak dyshues. Geert na ka rrëfyer se mendonte që kishte zbuluar kultivues të marihuanës. “Kemi frikë jo vetëm për përhapjen e crystal meth, që do t’i shtohej ecstasy dhe anfetaminave, por edhe për luftën midis bandave që mund të gjenerojë ky trafik”, rrëfen një prokuror që preferon të ruajë anonimitetin. Në fillim të 2018 një raport i policisë hollandeze ka përdorur për herë të parë termin “narkoshtet” për të treguar infiltrimin e grupeve kriminale në ekonominë e ligjshme. Çështja preokupon edhe agjencinë e policisë europiane EUROPOL.

Format i reduktuar
Problemi është se laboratori i vogël në Herëijnen nuk është një rast i izoluar. Prej dy vitesh këta laboratorë në format të reduktuar të destinuar për prodhimin e metanfetaminës shtohen: në 2020 janë shkatërruar 32 në Hollandë dhe 4 në Belgjikë. Të gjithë në vende të paimagjinueshme: në një sallë pritjesh të braktisur, në një traget lumor të pajisur shumë mirë apo në një anije të vogël të stolisur në një port të vogël në juglindje të Rotterdam. Elementi i përbashkët në këta laboratorë është prania e meksikanëve. Janë arrestuar 19, ndërsa po “gatuanin” meth me maska dhe doreza mbrojtëse, ka zbuluar investigimi i Cartel Project, i udhëhequr nga grupi i gazetarëve investigativë Forbidden Stories, ku ka marrë pjesë Le Monde. Këto zbulime ngrenë problemin e një përfshirjeje të mundshme të karteleve të frikshme meksimane në prodhimin e kristaleve të metanfetaminës në Europë. Një burim i qeverisë meksikane ka konfirmuar për Forbidden Stories se disa organizata praktikisht kanë dërguar kimistë nga kjo anë e paqeanit për të prodhuar metanfetaminë. “Është një prej rasteve të rralla ku shikohen meksikanë në një trafik droge shumë fitimprurës në Bashkimin Europian”, thotë Laurent Laniel, analist shkencor i Observatorit Europian të Drogave dhe të Toksikodipendencës (EMCDDA, një agjenci e Bashkimit Europian me qendër në Lisbonë).

Deri më tani, kartelet meksikane kanë qenë “praktikisht të padukshëm” në Kontinentin e Vjetër. Vështirë të thuhet nëse kanë qenë të pranishëm, në cilat faza të prodhimit dhe me çfarë interesash financiare, “por sot”, vëren Laniel, “këtë laboratorarë na japin një tregues të qartë se kriminelë meksikanë të nivelit të lartë janë përfshirë në prodhimin e metanfetaminës në Europë”. Përballë një tregu europian tashmë të ngopur, Europa është bërë Eldoradoja e re e karteleve meksikane? Deri më tani, metanfetamina në kristale e sekuestruar në kontinent vinte për më tepër nga Republika Çeke, por përpara ardhjes së meksikanëve të parë, rreth vitit 2018, “Hollanda është bërë gjithnjë e më e rëndësishme”, konstaton Laniel. “Në fakt, sasia e meth e sekustruar në vend në tri operacione të mëdha midis 2018 dhe 2019 është më e madhe se e gjithë sasia e sekuestruar në 28 vendet e Bashkimit Europian të marrë sëbashku në të njëjtën periudhë”.

Holanda ka potencialin që të bëhet një prej prodhuesve të parë botërorë të kësaj substance. Policia hollandeze nuk ka ende provat se këta meksikanë janë të lidhur me kartelet. Për momentin mendohet se japin vetëm dijet e tyre në fushën e kimisë. “Janë shumë të zot, dijnë të prodhojnë metanfetaminë shumë të pastër me kristale të mëdha”, tregon eksperti i EMCDDA. “Shitet me një çmim më të lartë se ajo më kristale të vogla apo pluhur.
Kanë gjetur formulën më fitimprurëse: prodhojnë sasi të mëdha meth shumë të fortë, duke u nisur nga e njëjta sasi benzilmetilketoni”. Organizatat kriminale hollandeze sigurojnë lëndën e parë, krahun e punës, laboratorët, maunet për të hequr qafe malet me mbeturina që prodhon meth dhe deri anijet për transportimin e drogës.

“Po flasim për struktura kriminale shumë të organizuara e shumë të fuqishme, të drejtuara nga trafikantë milionerë që kanë bërë pasuri me ecstasy”, thotë Laniel. “Kanë ndërtuar një industri shumëmilionëshe. Organizojnë trafikun nga fillimi deri në fund”. Për të zhdukur tonelatat e mbeturinave nga prodhimi i meth, i ngarkojnë nëpër maune të cilave u vënë zjarrin në parkimet e autostradave. Sipas Laniel, “ekzistenca e një bashkëpunimi midis këtyre organizatave kriminale dhe karteleve meksikane është një hipotezë e besueshme”. Parasëgjithash sepse një pjesë e këtyre karteleve meksikane vjen nga Sinaloa dhe duket e çuditshme që mund të shkojnë edhe jashtë vendit e të lidhen me kriminelë të tjerë pa miratimin e karteleve. “Në Meksikës shumë banda punojnë në shërbim të disa karteleeve dhe dnajnë territorin. Për të kaluar kufirin bëjnë një marrëveshje me një kartel dhe i derdhin një haraç”. Veç kësaj, vazhdon eksperti, në Europë kanë ndodhur sekuestrime të mëdha metanfetamine në kristale të prodhuar në Meksikë dhe e destinuar për eksport drejt Azisë apo Oqeanisë. “Hipoteza”, thotë Laniel, “është ajo e aleancës ku meksikanët shfrytëzojnë platformën logjistike e ekspprtimit të hollandezëve. Deri më tani kartelet eksportonin më shumë drejt Shteteve të Bashkuara, kurse tani kjo aleancë ofron perspektiva të reja”.

Rekrutimi i kimistëve meksikanë është një etapë e rëndësishme e trafikut, që analiza e mesazheve në EncroChat ka mundësuar që të kuptohet më mirë. “Në fillim për ne ishte enigmë. Papritmas jemi përballur me tri meksikanë të dyshimtë. Si kanë ardhur këtu?”, rrëfen Andy Kraag i policisë hollandeze. Përgjigja gjendet në mesazhet e kriptuara. “Kërkoj një kuzhinier, njeh ndonjë?”, pyet një ndërmjetës një narkotrafikant hollandez. Në Meksikë kartelet janë shumë të zot në rekrutim: “I individualizojnë kandidatët duke kaluar në sitë fakultetet e Kimisë të universiteteve”, shpjegon Falko Ernst, hulmutues në OJQ International Crisis Group.

Për Europën disa ndërmjetës të pavarur, por në raporte me kartelet meksikane, përdorin të njëjtin sistem. Me t’u individualizuar personi në Meksikë, ndërmjetësi i bën një ofertë që përfshin rrogën dhe biletën e avionit. Hyrja në vend bëhet shpesh nëpërmjet Spanjës me një vizë turistike. Për të reduktuar rreziqet, laboratorët ngrihen në afate shumë të shpejta dhe prodhimi zgjat maksimumi 3 apo 4 javë. Laboratorët e parë janë shkatërruar në jug të Hollandës dhe në Belgjikë. Por pasi policia është lëshuar në ndjekje të gjurmëve të tyre, trafikantët janë ringjitur në veri të vendit në qendra akoma më të izoluara. Në tetor është zbuluar laboratori i parë i kristaleve të metanfetaminës në zonën e Groningen, në Lucasëolde, një fshat me 200 banorë.

Në Achter-Drempt, tjetër fshat të zonës, forcat speciale kanë hyrë në një fermë me qen, dronë dhe granata shurdhuese. Është arrestuar një 29 vjeçar meksikan, që si të tjerët ka pohuar se nuk e kishte kuptuar në çfarë gjëje kishte hyrë, i bindur se po vinte në Europë për të mbledhur fruta. Të tjerë përpara tij kishin folur për një punë të rregullt të mirëshpërblyer, rreth 2000 dollarëve në muaj respektivisht 700 – 800 dollarëve të fituara në Meksikë. Policia hollandeze nuk i ka besuar, edhe pse mund të ketë pësuar kërcënime. Nga ana tjetër, një prej të arrestuarve ka pranuar se merrte udhëzime në Whatsapp nga meksikanë të quajtur Chalio, Angel apo Patrona, por nuk ka zbuluar asgjë që të mund të bënte të arrihej tek dërguesit.

Në Achter-Drempt klima ka mbetur jashtëzakonisht e tendosur: teksa bënte punën e saj në vendet e sekuestrimit, fotografja e “Le Monde” Virginie Nguyen është sulmuar nga një banorë vendas dhe kafshuar nga një prej qenve të tij. Në pritje të ardhjes së policisë, fotografja është mbyllur në një banesë të pajisur me monitorë të shumë survejimi. Dy ditë më vonë nuk kishte më asnjë në qarkullim dhe natyrisht asnjë dëshmitar të incidentit. Një çiklist na ka bërë shenjë me dorë, duke na thënë: “Është më mirë të mos qëndroni këtu. Pas asaj që ka ndodhur nuk kemi më besim tek të panjohurit. Pafshim”.

Një pllakë betoni
Heshtja dhe frika janë pasojat e laboratorëve të shkatërruar. Në një fshat të Brabante, një pllakë betony mbulon vendin ku një laborator I madh klandestin është shkatërruar nga flakët. Përballë, pronari i një vile luksoze nuk kujton asgjë: “Nga këto anë, policia dhe komuna nuk bëjnë shumë”, thotë ai. Është e vërtetë se disa histori të rrënqethin mishin, si konteinerët e gjetur në Wouwse Plantage, afër kufirit belg, ku policët kanë zbuluar një dhomë torturash të përgatitur nga narkotrafikantët për rivalët dhe “tradhëtarët”e tyre.

Një prokuror nga Breda është detyruar të fshihet pasi është kërcënuar nga njerëz ka mundësi të lidhur me këtë trafik. Faktikisht, prej disa vitesh, Hollanda është në qendër krimesh të shumta, që edhe pse nuk mund të krahasohen me atë që ndodh në Meksikë, fillojnë t’i preokupojnë seriozisht autoritetet.

“Në botën kriminale, konkurrenca dhe dhuna ecin me të njëjtin hap”, kujton Kraag. Në vitin 2016 një 26 vjeçar është torturuar dhe i është prerë koka dhe në vitin 2019 një blogeri dhe një avokati janë vrarë në kuadër të një afere tentakulare kokaine. Në vitet ’80 e ’90, kujton gazetari dhe antropologu Teun Voeten, Hollanda ka autorizuar konsumin e marihuanës, por jo prodhimin, duke i mbyllur sytë përballë zhvillimit të një industrie të drogës në duart e mafies. Sot, konkludon Voeten, “Meksika ofron një skenar të tmerrshëm dhe gjëja e fundit që do duhej të bënim në Europë është t’i pranonim pasivisht këto trafiqe”.
(Anne Michele dhe Jean-Pierre Stroobants për Le Monde)

Përgatiti
ARMIN TIRANA