Basha tregon si do jetë fushata e opozitës dhe zbulon angazhimin e të rinjve krah PD për ndryshimin me 25 prill

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një intervistë me gazetaren Nisida Tufa në emisionin “Këtë Javë” në News24, tregoi se si do jetë fushata e opozitës dhe zbulon angazhimin e të rinjve krah PD për ndryshimin me 25 prill.

Basha tha se, ka muaj që Partia Demokratike është në një aktivitet intensiv, në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, natyrisht me anëtarësinë, në punë derë më derë, në përfundimin e një programi ambicioz për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza.

Nisida Tufa: Dhe ne do të ndalemi tek 25 Prilli, jemi 3 muaj përpara datës së zgjedhjeve do doja të flisnim dhe të fokusoheshim tek opozita, tek Partia Demokratike, si është e organizuar Partia Demokratike ose më mirë të themi çfarë ditësh po jeton ajo tani aktualisht?

Lulzim Basha: Jo vetëm aktualisht por ka muaj që Partia Demokratike është në një aktivitet intensiv, në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, natyrisht me anëtarësinë, në punë derë më derë, në përfundimin e një programi ambicioz për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza, për ta normalizuar dhe më pas për ti dhënë atë zhvillim ekonomik që meriton dhe për të cilin faktikisht ka të gjitha potencialet, sepse ky nuk është një vend i varfër ky është një vend i vjedhur, Dhe burimi i kësaj krize ekonomike, burimi i papunësisë, i rritjes së kostos së jetesës, i çmimeve të papërballueshme për familjarët është pikërisht korrupsioni qeveritar, është dështimi i njëpasnjëshëm i Edi Ramës në këto 8 vite ku nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe ka vetëm një sukses, ka pasuruar siç tregoi dhe raporti i publikuar së fundmi i BIRN-it vetën e tij dhe 2/3 e kabinetit qeveritar që trefishuan pasuritë me letra, sigurisht të gjithë shqiptarët e dinë që janë pasuruar shumë më shumë se aq, po me letrat e ILDKP-së janë 3 herë më të pasur sesa kur u ulën në karriget qeveritare ndërkohë që gjithë vendi është në varfëri absolute.

Prandaj gjen një klimë jashtëzakonisht optimiste në kontaktet tona me njerëzit, jashtëzakonisht entuziaste në të gjitha fashat e popullsisë, në veçanti tek rinia e cila sheh një shpresë tek ndryshimi, tek alternativa, sepse problemi më I madh që Shqipëria ka sot është largimi masiv i rinisë ndaj dhe kontakti ynë është shtrirë në të gjitha shtresat e popullsisë por ka targetuar në veçanti rininë dhe mund t’iu them, këtu mund të ndaj me ju një të dhënë: 1 në çdo 3 të rinj që kemi kontaktuar vetëm në qytetin e Tiranës, jo në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës, 1 në çdo 3 të rinj është shprehur i gatshëm jo thjeshtë të votojë Partinë Demokratike por të bëhet pjesë e përpjekjes sonë që me 25 prill të sjellim në ndryshim.

Nisida Tufa: Zoti Basha si do të flitet tani me elektoratin, ju e thatë Partia Demokratike e ka paraqitur programin e saj shtyllat kryesore i dimë risitë janë njohur kohë më parë kanë qenë intensive por nga ana tjetër gjithçka edhe vështirësohet për shkak të pandemisë kur koha ngushtohet fushata do të hyjë në ditët e saj do të bëhet më e nxehtë. Sa e vështirëson kjo? Çfarë has në vështirësi?

Lulzim Basha: Fushata do të zhvillohet dhe po zhvillohet derë më derë, do të jemi kudo ku janë qytetaret, natyrisht do të përdorim të gjithë hapësirën e mediave sociale dhe po e përdorim.

Nisida Tufa: Funksionon?

Lulzim Basha: Sigurisht që funksionon por nuk zëvendëson kontaktin e drejtpërdrejtë. Unë i pari dhe çdo përfaqësues i Partisë Demokratike dhe i opozitës së bashkuar do të jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët derë më derë, familje më familje siç i kemi dëgjuar këto 2 vite problemet, shqetësimet, por edhe shpresat e tyre dhe i kemi kthyer ato në një program realist politik i cili do të marrë jetë nga dita e parë e qeverisjes tonë për të normalizuar vendin.

Po kështu do të vazhdojmë me gjithë ditët që kanë mbetur deri me 25 Prill të bëhemi njësh me njerëzit dhe shqetësimet e tyre që janë: papunësia, janë kostoja e jetës, janë çmimet që rriten, janë emigracioni i të rinjve, largimi i të rinjve, janë dhe shqetësimet e mia. Janë motivi im, janë motivi i Partisë Demokratike. Janë ajo, që do të jetë prioritet i parë i imi nesër si kryeministër për të sjellë ndryshimin për të gjithë. E përsëris për të gjithë. Prandaj, në këtë kuptim 25 Prilli nuk do të jetë një ditë zgjedhjesh si ato që kemi pasur më përpara, por do të jetë një ditë ku nuk do të kemi thjesht dhe vetëm rotacion, nuk do të kemi thjesht dhe vetëm ndryshim pushteti por, do të kemi një ndryshim tërësor të mënyrës sesi do të qeverisim vendin.