SPAK shfajëson Manastirliun për korrupsionin me aspiratorët dhe kitet e testeve të blera 3 herë më shumë

SPAK shfajëson ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për skandalin e korrupsionit aspiratorëve dhe kitet e testeve të blera tre herë më shumë se çmimi real. Manastirliu është hetuar për një kohë të gjatë nga prokurorët antikorrupsion, por në përfundim SPAK nuk e gjeti në shkelje për të.

Manastirliu, është verifikuar për një kohë të gjatë nga prokurorët antikorrupsion, sa i takon ngritjes së dy komisioneve, të cilat u angazhuan për blerjen e kiteve për testet covid dhe për blerjen e respiratorëve.

Për të dyja këto tenderime komisionet dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën pasi këto njësi janë blerë përtej vlerës reale të tregut ndërkombëtar.

Nga veprimet hetimore burimet e SPAK tregojnë për mediat se shkresat doganore vërtetojnë se si kompania e cila u përzgjodh fituese importoi përmes një kompanie tjetër nga Korea e Jugut ngarkesën me 20 paketa me 50 kite secili.

Por sipas burimeve pranë SPAK , hetimi i deritanishëm ka provuar se kitet e testeve për covidin dhe respiratorët janë blerë me çmime tre herë më të lartë se sa tregu real. Një test, sipas SPAK është blerë nga 6 deri në 9 dollarë ku duhet të shtohen edhe kostot e transportit, pagesave doganore dhe shpenzimeve të tjera.

Edhe për 54 respiratorët, me një çmim 6400 euro secili, vlera e tyre rezulton tre herë më e lartë se tregu ndërkombëtar. Në këtë mënyrë pohojnë burimet e prokurorisë krijohen dyshime se anëtaret e dy komisioneve kanë shpërdoruar detyrën.

Por sa kohë Manastirliu nuk është personi që autorizoi fillimin e procedurës, dhe as nënshkroi kontratat e lidhura, SPAK nuk ka kompetencë të hetojë më tej.