Ballina Aktualitet Ambasadorja e SHBA me anëtarët e Kushtetueses: Veproni me pavarësi dhe integritet...

Ambasadorja e SHBA me anëtarët e Kushtetueses: Veproni me pavarësi dhe integritet në dhënien e drejtësisë

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca zhvilluan sot një takim me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Ambasada Amerikane në Tiranë, shkruan në një postim në Facebook se, sot ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca kanë zhvilluar një takim me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjera u shprehën se gjykatësit duhet të veprojnë me pavarësi dhe integritet në dhënien e drejtësisë, pavarësisht institucionit që i emëroi në detyrë.

Njoftimi i ambasadës së SHBA në Tiranë

Sot, Ambasadorja Kim dhe Ambasadori i BE Soreca u takuan me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për t’i falenderuar që iu përgjigjën thirrjes së detyrës, e cila i mundësoi Gjykatës kuorumin e nevojshëm për të funksionuar.

Ajo nënvizoi detyrimin që gjykatësit të veprojnë me pavarësi dhe integritet në dhënien e drejtësisë, pavarësisht nga institucioni që i emëroi ata në Gjykatë.

Ambasadorja Kim theksoi rolin e rëndësishëm që Gjykata luan për të siguruar kontrollin dhe balancën e institucioneve të Shqipërisë dhe për të siguruar shtetin e së drejtës.

Ajo përsëriti se mbështetja e SHBA do të vazhdojë, përfshirë edhe nëpërmjet sigurimit të ndihmës teknike. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin me forcë zbatimin e Reformës në Drejtësi, dhe nxisin autoritetet përkatëse të sigurojnë që Gjykata Kushtetuese të ketë trupën e plotë të nëntë gjykatësve në të ardhmen e afërt, në mënyrë që populli i Shqipërisë të ketë drejtësi të vërtetë, në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe aspirante për në BE.

Exit mobile version