Skuadra e kategorisë së 3-të eleminon Real Madridin nga Kupa e Mbretit

Real Madrid është eliminuar nga Kupa e Mbretit nga Alcoyano, ekip i kategorisë së tretë. Sikur të mos mjaftonte kjo, vendasit e kanë siguruar kualifikimin në 1/8-at pasi kanë mbetur me një lojtar më pak.

Madrilenët kaluan të parët në avantazh me anë të Militao, por 10 minuta nga fundi i takimit shifrat u barazuan nga Solbes. 90 minutat përfunduan në barazim 1-1, ndërsa gjatë kohës shtesë në minutën e 110’ vendasit kanë mbetur me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Lopez

Kurse në minutën e 115’ ishte Juanan Casanova i cili shënoi golin e fitores për skuadrën modeste e cila i shkaktoi një humbje të rëndë “galaktikave”.

Pas ndeshjes, trajneri Zinedine Zidane në një deklaratë për mediat mori përsipër të gjithë përgjegjësinë e humbjes dhe eliminimit nga ky kompeticion.

“Unë jam trajneri dhe përgjegjësia është e gjitha e imja. Unë mendoj se lojtarët akoma besojnë tek unë, por ju duhet t’i pyesni ata”, u shpreh ai.

Francezi më pas tha se nuk është ndonjë turp i madh pasi ndodhi ky eliminim. “Këto gjëra ndodhin në futboll. Një ditë tjetër ku ndjejmë dhimbje, nuk na pëlqen të humbasim. Ne do të vazhdojmë të luftojmë përpara për trofetë e mbetur”, përfundoi Zidane.