Skandali në spital, pacienti vdes nga virusi, i grabisin 200 mijë lekët në portofol

Denoncuesi: “I jam drejtuar emisionit Stop për një skandal që ka ndodhur tek QSUT, tek Infektiv 1. Më datë 22 është shtruar, në datë 23 unë kam folur me babain dhe tha jam mirë. Më datë 24 e ditët në vazhdim unë me babain nuk kam folur më, ja kanë marrë telefonin dhe nuk kam patur asnjë kontakt me babain. Dhe më datë 27 ka ndërruar jetë. Dhe erdhi funerali te shtëpia, bëmë adetin, pritëm e përcollëm njerëz, hapa gjërat personale të babait dhe aty shoh që në portofol mungonte karta e bankës dhe 200 mijë Lekë të vjetra që ka pasur në portofol.

Unë ia kam vendosur babait tim 200 mijë Lekë në portofol dhe kur e kam hapur portofolin për të vendosur lekë, kam parë dhe kartën e bankës aty, por nga stresi që kisha nuk kam guxuar ta heq. Por kur humbi jetën, kam kontrolluar portofolin dhe shoh 2 mijë Lekë të vjetra dhe kartën e bankës dhe kodin që nuk ishte aty. Sendet e tjera, kartë identiteti dhe patenta aty ishin. Karta e bankës dhe passëord nuk ishin aty.

Nuk më intereson sa lekë është vjedhur, mua më intereson gjesti që është bërë. Doktori, infermieri, pastruesja apo ku e di unë kush ka qenë aty, personali i spitalit… Kam marrë doktoreshën dhe i kam thënë i ka humbur babait karta e bankës dhe më ka thënë nuk është e drejta ime, mos m’i bjer më telefonit se po bëj shopping (pazar). Nuk është problemi im pse ia kanë vjedhur babait tënd kartën e bankës. Unë jam infermiere dhe kaq dhe ma ka fikur telefonin”.

Gazetari i emisionit Stop, Genci Angjellari, ka investiguar rreth kësaj çështje dhe ka zbuluar se më datën 25 Dhjetor 2020, pra ditën kur pacienti ishte futur në intubim, nga një bankomat ishin bërë 3 tërheqje, nga 200 mijë Lekë të vjetra çdo herë, në total 600 mijë Lekë. Madje, punonjësi i spitalit Covid 1 që ka marrë kartën e bankës së pacientit që humbi jetën nga virusi, ka tentuar të tërheqë para edhe nga një bankomat Credins Bank në qytetin e Durrësit, por veprimi nuk është autorizuar. Pra në total, viktimës i kanë vjedhur 800 mijë Lekë të vjetra nga portofoli dhe nga bankomati.

Djali i viktimës thotë se babai i tij është grabitur brenda spitalit. Ai shprehet se ka bërë denoncim në polici dy javë më parë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Denoncuesi: “Te policia kam bërë denoncim dhe më kanë thënë do e kemi parasysh, po s’e kur do zgjidhet nuk e di. Prandaj i jam drejtuar emisionit Stop, që ta bëj publike dhe të gjendet personi”.

Në mungesë të një hetimi nga ana e autoriteteve, Stop investigoi dhe zbuloi se 3 tërheqjet e parave janë bërë në orën 08:00 të mëngjesit të datës 25 Dhjetor 2020 nga një bankomat Raiffeisen që ndodhet pranë QSUT-së përballë Universitetit të Mjekësisë.