Video/ Propaganda me gjelbërimin e Veliajt, Këlliçi: Brenda 30 minutave në Tiranë kaluan 11 betoniere. Vazhdon të hidhet lum betoni!

Nga Belind KËLLIÇI

Videot si kjo, Erion Veliaj nuk i shfaq!

Për gjysmë ore te “Pallati me shigjeta” kaluan 12 betoniere! Është vetëm një nga hyrjet në Tiranë.

1 betoniere ka një kapacitet maksimal 11 metër kub, ku vetëm 1 m³ ka 2400 Kg. Gjithsej 316,8 ton beton që derdhet në Tiranë në 30 minuta! Pa llogaritur hyrjet e betoniereve nga rr. Durrësit, rr. Dibrës, rr. Elbasanit, etj.

100 foto publikon Veliaj për një tek pemë që mbjell. Pemë që mbillen vetëm në parkun ekzistues të liqenit artificial. Këto betoniere bllokojnë kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve në shumë rrugë e rrugica. Makina të tonazhit të rëndë që punojnë orar pa orar, që shkatërrojnë rrugë e shkaktojnë një ndotje akustike të tmerrshme për banorët e Tiranës. Rasti më i afërt për të cilin u njoftova nga banorët, ishte ai në rr. “Nikolla Lena”, ku nuk u vendos asnjë tabelë informuese që njoftonte banorët për bllokimin e rrugës.

Veliaj nuk i fotografon betonieret sepse i prishin imazhin e rremë të gjelbëruesit.

Kjo masakër urbane po e bën Tiranën të pajetueshme, po shkatërron trashëgiminë e saj ndërtimore e kulturore.

Po shqepin kodrat e gjelbëruara të Tiranës për të derdhur lumenj betoni.

Ku janë parqet e reja? Ku janë lulishtet? Ku i kaloni pasditet me fëmijët tuaj? Në kafenetë poshtë pallateve?

Me foto nga Veliaj, jemi vendi më i gjelbëruar i Europës. Në realitet jemi drejt gropës.