Basha: Koha e Edi Ramës ka marrë fund! Pyetja ekzistenciale për ne është: A do ta mbyllim këtë kapitull më 25 prill, apo…

Kryetari i PD, Basha u shpreh në emisionin “Opinion” se, sfida e vendit dhe e koalicionit nuk është largimi i Edi Ramës sepse ai është i larguar. Basha tha se, Koha e Edi Ramës ka marrë fund.

“Koha e Edi Ramës ka marrë fund! Pyetja ekzistenciale për ne është: a do ta mbyllim këtë kapitull më 25 prill apo do ta vazhdojmë këtë karuselë me politikanë sharlatanë që marrin pushtetin me premtime të mëdha dhe nuk bëjnë asgjë, por për të justifikuar dështimin, përdorin propagandën, blejnë median, përqëndrojnë pushtetin ekonomik, ushqejnë oligarkët, apo do të votojmë për ndryshimin? Ky është thelbi.

Sfida e opozitës është të ndërtojë një projekt të mirë që realizon plotësisht potencialet e vendit për zhvillim, pa pretenduar mrekullinë. Shqiptarët kanë të drejtën të dinë çfarë premton ky koalicion se gjërat që do të jenë ndryshe, çfarë mekanizmi do ta garantojë këtë ndryshim dhe cilat janë prioritetet që duhet të përmbushë ndryshimi”, tha Basha.

Mirela Milori: Kush do të jetë kandidatura për kryeministër? Ju do të jeni kryeministri i ardhshëm?

Blendi Fevziu: Këtë desha të pyesja. Dakord, faktikisht nuk keni një apo shumë lista por konkretisht keni një kryeministër apo do të dilni me disa figura?

Lulzim Basha: Padiskutim që po.

Blendi Fevziu: Kush është? Jeni ju?

Lulzim Basha: Padiskutim që jam unë.

Blendi Fevziu: Pra ju jeni kandidati i të gjithë opozitës për Kryeministër?

Lulzim Basha: Padiskutim që unë jam kandidati për kryeministër. Padiskutim që kandidati jam unë. Ky është një vendim i shpallur tashmë. Një vendim i cili vjen jo thjesht dhe vetëm si një vendim politik i koalicionit tonë por vjen edhe si një shprehje e vullnetit të qytetarëve. Ne kemi tashmë më shumë se tetë muajsh matje të qarta në terren që tregojnë jo thjeshtë në kuadrin e koalicionit por dhe përballjen me kryeministrin në ikje që ka një preferencë të qartë që unë në detyrën time sot si Kryetar i partisë më të madhe të Opozitës dhe nesër si kryeministër të marr përsipër barrën e qeverisjes së vendit.