Pompeo: Regjimet besojnë se populli ekziston për t’i shërbyer qeverisë

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo ka fshikulluar regjimet totalitare në Kinë, Korenë e Veriut dhe Iran duke deklaruar se këto regjime “besojnë se populli ekziston për t’i shërbyer qeverisë”.

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo vizitoi të hënën selinë e Zërit të Amerikës, ku ai foli për rëndësinë e transmetuesit ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe për rolin e veçëantë të Amerikës në botë.

Sekretari i shtetit Mike Pompeo të hënën vizitoi për herë të parë selinë e Zërit të Amerikës, ku u fol për temat kryesore që diplomati më i lartë amerikan thekson gjatë vizitave të tij në botë.

“Në çdo mundësi që kam, publikut i flas për atë se sa ndryshe dhe e veçantë është Amerika, sepse është e vërtetë. Amerika është e mirë dhe madhështore. Të gjithë ata që kujtojnë themelimin tonë e kuptojnë këtë… Ne gjithmonë jemi përpjekur për një bashkim më të përsosur. Jo gjithmonë ia kemi qëlluar. Kemi nevojë edhe për krenarinë dhe përulësinë e të kaluarës dhe të tashmes sonë“, tha zoti Pompeo.

Sekretari Pompeo foli disa ditë pasi mbështetës të Presidentit Doanld Trump hynë me forcë në Kapitol. Pamjet e kaosit në objektin simbol të demokracisë amerikane ishin kryetituj lajmesh në mbarë botën. Javën që shkoi zoti Pompeo dënoi dhunën, por që atëherë nuk komentoi më.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se ishte i habitur që Sekretari Pompeo nuk përmendi dhe nuk u pyet për protestat e dhunshme që ndodhën shumë pranë ndërtesës ku ai foli.

“… Ishte e habitshme që Sekretari Pompeo nuk përmendi ngjarjet që ndodhën javën e kaluar, të cilat janë të rëndësishme dhe kanë vëmendjen e secilit. Është e çuditshme që ai t’i shmangte ato si dhe arsyeja pse veproi ashtu”, tha Michael Kimmage I organizatëps “German Marshall Fund”.

Qeveria amerikane financon Zërin e Amerikës dhe transmetues tjerë për të ofruar lajme dhe informacione në disa gjuhë të huaja për publikun ndërkombëtar.

Sekretari Pompeo e cilësoi Zërin e Amerikës si zëri i së veçantës amerikane. Ai tha se transmetuesi ndërkombëtar amerikan ka një rol kyç në promovimin e idealeve amerikane rreth botës gjë që e dallon nga platformat e regjimeve autoritare.

“Qeveritë si Kina, Irani dhe Korea e Veriut nuk respektojnë dinjitetin njerëzor, parim mbi të cilin Amerika është themeluar. Ato regjime janë në kundërshtim me të gjitha parimet e vendit tonë. Ne e dimë se qeveritë ekzistojnë për t’i shërbyer popullit. Ata besojnë se populli ekziston për t’i shërbyer qeverisë. Puna e Zërit të Amerikës është jetike. Ju jeni maja e shtizës së lirisë”, tha zoti Pompeo.

Mandati i zotit Pomepo si kryediplomat amerikan pritet të përfundojë në fund të këtij muaji. Presidenti i zgjedhur Joe Biden caktoi ish Zëvendës Sekretarin e shtetit Anthony Blinken për këtë detyrë, nëse konfirmohet nga Senati amerikan./VOA