Propagandë edhe me vaksinën anti-Covid-19!

Nga Bardh SPAHIA

Vaksinimi anti Covid padyshim është lajm i mirë për cdo vend që e siguron për qytetarët e vet. Por si zakonisht, Edi Rama ka më shumë tam-tame se punë. Fond taksapaguesish për fasadën me banera, stema dhe natyrisht kryeministri me ministren e shëndetësisë me punonjës shëndetësie si dekor, që këta ta paraqesin veten si heronj, e jo përmbushës të një detyre për të cilën paguhen: siguria edhe shëndetësore e qytetarëve.

Logorreja vetëmburrëse është thjesht e neveritshme, pasi informacioni transparent për qytetarët ose u dha me zor, sic ishte 900 dozat e siguruara, apo mungoi tërësisht, si“vendi dhurues” apo çmimi i vaksinës, që do sigurohet në vazhdim. Në fakt Edi Rama as edhe njëherë nuk ka bërë transparencë as për koston e deritanishme të trajtimit anti Covid-19 në Shqipëri gjatë këtij viti pandemik, fonde nga buxheti apo të dhuruara, për pasojë asnjë surprizë për sjelljen e tij.

Asnjë vend që ka nisur vaksinimin nuk ka prodhuar spektakle të tilla, sepse në cdo vend, synimi është shëndeti i qytetarëve. Fatkeqësisht në këtë vend, kemi Edi Ramën, që cdo akt e ka llogari politike dhe me mungesë të theksuar transparence për shkak të punëve të liga, si ato që po i dalin edhe publikisht nga udhëtimet e restorantet luksoze me shpurë të zgjeruar jashtë vendit. #25Prill