Oboti nën ujë/ Ademi: Rruga është e pakalueshme! Kemi komunikuar me forcat e ushtrisë, sot në mëngjes sollën një mjet

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka shkuar sot në fshatin Obot ku përmbytja ka shkaktuar problem të mëdha me bllokimin e rrugës dhe nxjerrjen jashtë funksionit të ujësjellësit.

Ademi tha se, kanë marrë masa për furnizimin me ujë të banorëve dhe se paradite, me ndihmën e mjetit të ushtrisë u bë e mundur kalimi i rrugës për banorët. Uji ka një lartësi gati 60 cm mbi shtratin e rrugës.

Një dëm i madh është shkaktuar në tokat bujqësore, ku 941 ha me foragjere, 70 ha me grurë dhe 70 ha me bimë dekorative janë plotësisht nën ujë.

“Nga mbrëmë deri sot, situata në Shkodër është përkeqësuar. Sot deri në orën 10:00 kemi rreth 1600 ha tokë të përmbytur. Hidrometri në Urrelaj, Dajç, Shirq shënon 6 m mbi nivelin e detit, duke u rritur 20 cm që nga ora 8 e mëngjesit; nga mbrëmë ka një rritje të madhe.

Bëhet fjalë për probleme të ndodhura në Obot dhe këtu jemi në Obot, njesia administrative Ana e Malit; kemi në Oblikë, në Muriqan, në Velipojë, në Reç, Bërdicë të Madhe, në fushën e Trushit,  në Gurin e Zi për shkak të gërryerjeve që vazhdojnë për shkak të lumit Kir, problem i mbartur prej kohësh.

Rruga e Obotit është e pakalueshme, ka 60 cm ujë mbi rrugë. Kemi komunikuar me forcat e ushtrisë. Ata sot në mëngjes sollën një mjet për të bërë kalimin e atyre që kanë nevojë. Kemi marrë masa për furnizimin me ujë të pijshëm të të gjitha zonave që nuk kanë akses dhe për shkak të përmbytjes nuk mund të kenë furnizim me ujë të pijshëm; kujtoj që në Obot kemi hequr mbrëmë natën pompat e ujit për shkak të prezencës së ujit në ujësjellës dhe e kemi jashtë funksionit.

Shpresoj shumë të mos kemi probleme. Kam një shqetësim për rritje të ujit në tokat e mbjella dhe bëhet fjalë për një dëm të konsiderueshëm, 941 ha tokë për foragjere e jonxhë, 70 ha tokë grurë dhe 70 ha tokë bime dekoratike e pjesa tjetër tokë e papunuar, e përmbytur”, u shpreh Ademi.