Mediat greke zbardhin pjesë nga takimi mes Ramës dhe Erdogan. Sipas këtyre mediave, Rama është thirrur në Ankara ku është paralajmëruar për marrëveshjen e detit me Greqinë dhe Erdogan i ka shprehur një shqetësim të thellë mbi këtë marrëveshje të Ramës duke i kërkuar anullimin e saj.
Rama ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Greqi, pak ditë pasi takoi në Ankara edhe Presidentin Erdogan.
Pavarësisht deklaratave të liderëve gjatë takimeve se janë aty për të rritur bashkëpunimin mes shteteve, mediat në Greqi dhe Turqi e shohin këtë intensifikim të kontakteve në prizmin e marrëveshjes së detit.
Media greke “Greekcitytimes”, shkruan se Erdogani i shprehu shqetësimin e tij Ramës për kalimin në Hagë të çështjes së detit me Greqinë, raporton abcnews.al.
Po ashtu, gazetari Georgios Protopapas thekson se grekët i tremben shfrytëzimit nga Erdogani të reaksionit të brendshëm në Shqipëri kundër marrëveshjes së detit me Greqinë.
Ndër të tjera, media greke shkruan:
Kryeministri shqiptar Edi Rama u takua me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Ankara me ftesë të këtij të fundit, duke shprehur shqetësimin e tij të thellë mbi marrëveshjen greko-shqiptare për referimin e mosmarrëveshjes së shënjimit të kufirit në Hagë.
Megjithëse Rama është një aleat i ngushtë i Erdoganit, ai kërkon të vendosë një ekuilibër midis Perëndimit dhe Turqisë.
Marrëveshja midis Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e kufirit të tyre detar që do të gjykohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e miratuar nga Rama, ka alarmuar Erdoganin i cili pritet të bëjë presion ndaj tij për ta anuluar atë.
Rama deklaroi se ajo është “një e drejtë e Greqisë dhe bazohet në Konventën Ndërkombëtare mbi Ligjin e Detit, e cila shprehet qartë se çdo vend mund të zgjerojë kufijtë e tij detarë, atje ku është e mundur”.
Ai shtoi: “Padyshim që me Shqipërinë, nuk është kështu dhe kjo është arsyeja pse na duhet marrëveshja. Është absolutisht e ligjshme që pala greke ta thotë këtë. ”
Rama kërkon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Turqinë, por edhe të mos distancohet nga Perëndimi, në mënyrë që të eleminojë akuzën se ai është një “ushtar” i Erdoganit në Ballkan.