Intervistoi:
Mila BALLHYSA
Pas rreth dy muajsh që demokratët e qarkut Durrës prisnin të mësonin emrin e drejtuesit politik të qarkut, ai u zyrtarizua ditën e sotme. Nënkryetari i PD dhe ish-deputeti Edi Paloka do të drejtojë fushatën për zgjedhjet e 25 prillit në Qarkun e Durrësit.
Në një intervistë për “DurrësLajm” vetëm pak orë pas zyrtarizimit të emrit të tij, Paloka flet mbi pritshmëritë e PD-së në këtë qark dhe nevojën për ndryshim që duhet të fillojë pikërisht nga Durrësi “për shkak se qytetarët e tij kanë qenë nën pushtetin e krimit dhe korrupsionit, që në fakt është i vetmi pushtet i ushtruar nga “Rilindja” në keto 8 vite”.
Paloka shprehet se pakënaqësia e madhe e akumuluar gjatë këtyre viteve është bërë shkak që pas zyrtarizimit të tij në krye të qarkut, shumë urime i kanë ardhur edhe “nga socialistë të ndershëm, të zhgënjyer thellësisht me “Rilindjen”, madje dhe nga figura dhe personalitete të socialistëve”.
Në zgjedhjet e kontestuara parlamentare të vitit 2017, Durrësi ishte një nga qarqet ku opozita denoncoi manipulime të procesit. Dosja 339 dhe disa nga përgjimet e saj të publikuara nga e përditshmja gjermane “Bild” tronditën opinionin publik në Shqipëri. Drejtuesi politik i qarkut Durrës deklaron me bindje se më 25 prill Rama nuk do të tentojë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, por Paloka është i sigurt se të gjitha tentativat e tij nuk do ta shpëtojnë nga humbja.
“Ata që do të pranojnë t’i shërbejnë dhe një herë për qëllimet e tij të errëta, duhet ta pyesin veten mirë më parë. Rama është mësuar t’i shesë pasi i përdor, po këtë herë edhe sikur të dojë t’i marrë në mbrojtje, nuk do të mundet se do të shkojë bashkë me ta atje ku e ka vendin”, thotë Paloka.
Në intervistën e parë pas detyrës së re, Paloka komenton edhe rivalin e tij të drejtpërdrejtë në PS, Adrian Çelën. Sipas tij, Rama e caktoi Çelën në këtë post dhe nuk e mori vetë drejtimin e qarkut për një arsye të vetme.
“Çela është caktuar këtu që me paratë e korrupsionit, me ato para që na janë grabitur në të gjithëve, të mund të blejë votën dhe shpirtin e qytetarëve të Durrësit me shpresën se do të minimizojë humbjen që meritojnë. Rama e shmangu Durrësin pikërisht për të shmangur përgjegjësinë e humbjes dhe i la Çelës dhe një çengel tjetër ku do t’i varet litari nesër”, thotë Paloka.
Duke mos preferuar të deklarojë një shifër konkrete për mandatet që synon të fitojë opozita e bashkuar në qarkun e Durrësit më 25 prill, Paloka thotë se një gjë është e qartë: “Kush kërkon largimin e Ramës voton PD-në dhe opozitën”.
Sapo jeni caktuar drejtues politik i qarkut Durrës. Çfarë do të thotë për ju ky angazhim i ri, duke pasur parasysh faktin se Durrësi është një nga qarqet më të rëndësishme të vendit?
Durrësi është pa mëdyshje qarku më i rëndësishëm pas Tiranës, jo vetëm në aspektin elektoral, po në të gjitha aspektet. Po duke qëndruar te zgjedhjet e 25 prillit, në aspektin elektoral, unë mendoj se ky është qarku më i rëndësishëm, ku për shumë arsye pritet nga të gjithë një ndryshim domethënës në rezultate. Duke thënë këtë, nuk po i bëj aspak qejfin vetes, përkundrazi jam koshient për vështirësitë dhe përgjegjësinë që në këtë rast nuk është vetëm përpara qytetarëve të Durrësit, Shijakut, Krujës e Fushë-Krujës, po përpara gjithë atyre që si unë presin që ndryshimi i thellë të fillojë pikërisht nga ky qark. Për fat të keq, pikërisht për shkak të rëndësisë që ka ky qark në aspektin ekonomik dhe të zhvillimit, qytetarët e tij kanë qenë nën pushtetin e krimit dhe korrupsionit, që në fakt është i vetmi pushtet i ushtruar nga “Rilindja” në keto 8 vite.
Kjo do të thotë që dhe pritshmëritë për ndryshim janë më të mëdha e kjo e bën peshën e përgjegjësisë shumë më të madhe. Për fat të mirë, këtë peshë nuk do e mbaj vetëm unë, as vetëm PD e as vetëm opozita e sotme. Kjo është një peshë që do ta mbajmë e do ta hedhim tutje me shumicën e qytetarëve që mezi po presin ndryshimin. Prandaj duhet të them që u ndjeva shumë i inkurajuar që pas daljes së lajmit se isha caktuar si drejtues politik i qarkut Durrës, në qindra mesazhet dhe telefonatat që mora dhe vazhdoj të marr, më shumë se urime, erdhën mesazhe mbështetjeje dhe bashkëpunimi. E dua ta theksoj se këto mesazhe kanë ardhur edhe nga socialistë të ndershëm, të zhgënjyer thellësisht me “Rilindjen”, madje dhe nga figura dhe personalitete të socialistëve.
Në zgjedhjet e kaluara, PD në qarkun Durrës pati rezultatin më të dobët të regjistruar ndonjëherë në këto vite pluralizëm. Cilat do të jenë pikat kryesore ku do të përqendrohet fushata në këto 4 muaj?
Zgjedhjet e vitit 2017 as nuk duhet të konsiderohen zgjedhje, sidomos ato të zhvilluara në qarkun e Durrësit. Vullneti i qytetarëve në 2017-ën u deformua me të gjitha mënyrat, por duhet pranuar se dhe shpresa për ndryshim u zbeh për disa arsye subjektive që lidhen me rrjedhën e zhvillimeve politike të para zgjedhjeve. Sot jemi përballë një realiteti krejt të ndryshëm. Zhgënjimi dhe pakënaqësia ndaj Ramës dhe “Rilindjes” janë kthyer në urrejtje dhe revoltë që mezi pret të shpërthejë. E mënyra më e mirë e më e dëshirueshme nga të gjithë, është ajo me vote, më 25 prill. Po, sigurisht që për ne si opozitë, nuk mjafton grumbullimi i kësaj urrejtjeje dhe zbrazja e saj më 25 prill. Ne kemi premtuar ndryshim e jo vetëm rrotacion pushteti. Ne largimin e të keqes, largimin e Ramës e shohim si hap të domosdoshëm, por vetëm si hap të parë. Prandaj është në pikat kryesore tonat paraqitja e alternativës që ofrojmë për daljen nga ky qerthull i errët dhe rikthimin e shpresës te njerëzit.
Zgjedhjet e vitit 2017 në Durrës e Shijak u shoqëruan me akuza të shumta për manipulime (Dosja 339). A ka rrezik që problematikat e zgjedhjeve të para 4 viteve të reflektohen edhe në ato të 25 prillit dhe të ndikojnë në rezultatin përfundimtar?
E thashë dhe më lart, 2017 nuk mund të konsiderohen zgjedhje. Tanimë është vërtetuar plotësisht se ai proces që nga zanafilla ishte i kompromentuar, pasi në kutitë e votimit nuk u shprehën qytetarët, por krimi, korrupsioni, vjedhja, blerja e manipulimi me të gjitha format i votës dhe vullnetit të tyre. Të gjitha këto janë denoncuar dhe janë të njohura sot botërisht nga e famshmja dosje “339”. Në përgjigjje të pyetjes tuaj; asnjë nga ne nuk ka iluzionin se Rama me deshirën e tij do të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Por një gjë duhet të jetë e qartë për këdo, asnjë tentativë nuk e shpëton atë nga humbja. Ndërkohë ata që do të pranojnë t’i shërbejnë dhe një herë për qëllimet e tij të errëta, duhet ta pyesin veten mirë më parë. Rama është mësuar t’i shesë pasi i përdor, po këtë herë edhe sikur të dojë t’i marrë në mbrojtje, nuk do të mundet se do të shkojë bashkë me ta atje ku e ka vendin.
Rivali juaj i drejtpërdrejtë në kampin e majtë është Adrian Çela. Si e vlerësoni zgjedhjen e tij në krye të qarkut Durrës?
Nuk mund të kishte një përfaqësues më përfaqësues për “Rilindjen” se sa ai që Rama ka vendosur në krye të qarkut Durrës. Siç janë në fakt të gjithë drejtuesit që Rama ka caktuar nëpër qarqe, nga Beqja në Shkodër te Gjiknuri, Ahmetaj, Spiropali e me rradhë deri te Çela në Durrës, simbole të korrupsionit dhe grabitjes së hapur që ju është bërë qytetarëve në këto tetë vite. Çela si gjithë këta të tjerët me në krye Ramën e kanë vendin pas hekurave e jo në Parlament. Ju e dini që Rama tentoi të vinte vetë në krye të qarkut të Durrësit, po u tërhoq shpejt pasi e kuptoi se situata nuk është aspak ajo që shpresonte ai. Çela është caktuar këtu që me paratë e korrupsionit, me ato para që na janë grabitur në të gjithëve, të mund të blejë votën dhe shpirtin e qytetarëve të Durrësit me shpresën se do të minimizojë humbjen që meritojnë. Rama e shmangu Durrësin pikërisht për të shmangur përgjegjësinë e humbjes dhe i la Çelës dhe një çengel tjetër ku do t’i varet litari nesër.
Cili është objektivi i PD për qarkun Durrës më 25 prill?
Unë nuk dua të flas për shifra sot e as për numër mandatesh, po siç thashë më lart, në qarkun e Durrësit pritet ndryshimi më i thellë e domethënës dhe jam i bindur që qytetarët e Durrësit, Shijakut , Krujës e Fushë Krujës nuk do t’i zhgënjejnë pritshmëritë e gjithë shqiptarëve që kërkojnë ndryshim.
Ndryshimi vjen vetëm duke votuar PD-në dhe koalicionin opozitar. Çdo votë tjetër, për këdo parti që hiqet e shitet si opozitare, apo ca më keq, vota e shitur, janë për mbajtjen e Ramës në pushtet. Kush kërkon largimin e Ramës voton PD-në dhe opozitën.
/Marrë nga portali DurresLajm