Grafiku i Ramës dhe Kushit/ Boçi: Tallje dhe mashtrim epik për mësuesit

Nga Luçiano BOÇI 

Ministrja e arsimit ka lëshuar talljen e fundit për mësuesit.

Me një grafik, sipas grafikut (agjendës) personal të ministres.

Çështje tradite.

Nikolla p.sh e kishte grafikun e talljes një herë në muaj. I hiqte nga puna, i përçmonte, i detyronte mësuesit të mbushnin vandakë me letra pa vlerë, të paguanin lekë për kualifikime, etj. Në fund i fuste një letër dashurie të përmjerë, për t’u shkri në lot të qeshurash, për t’i mashtruar.

Besa nga zelli e bëri një herë në dy javë grafikun. Madje gjatë pandemisë dhe njëherë në javë me video selfie.

I mësonte mësuesit, pa qenë asnjë ditë mësimdhënëse, si t’i mësonin nxënësit.

Ndërsa Kushi, meqenëse nuk ka shumë kohë në dispozicion, e bën kohë pa kohë, por me dopje grafik. Edhe kështu edhe ashtu. Si t’i dalë dhe sipas humorit të vetë kryemësonjësit të saj Ramë.

Madje ministreshat e Rilindjes në këto vite, kanë dhe garë se kush është tallur më shumë me mësuesit dhe si.

Po të pyesësh Nikollën, ajo pretendon që është kampione, se çfarë nuk i punoi. Qindin u punoi në fakt.

Besa po kështu bërtet. Por ajo më shumë tallte veten në tentativë për të tallur mësuesit.

Ndërsa Kushi është më e rafinuar.

I tall duke i marrë që në fillim “me të mirë” e “duke i treguar arat”.

Ose p.sh, i kërkon të luajnë lojën “tek a çift” me mësimin online, ose lojën “me do, s’më do” me mësimin në klasa.

Po talljen më të paturpshme e ka bërë me grafikun e rritjes së pagës.

Kërkon t’u mbushë mendjen atyre se kanë në xhep më shumë lekë se ç’u duket. Abrakadabra. Mashtrim epik.

Si ekonomiste plani pa plan, bën shigjeta kacafiu.

Por e vërteta është ndryshe.

– Gjatë 8 viteve qeverisje rilindase, paga e mësuesit nuk u balancua asnjëherë me normën e infalcionit, siç shteti e ka detyrim. Afërsisht kjo rritje duhet të ishte 2% në vit. Kjo përqindje në 8 vite kalon çdo përqindje të pretenduar për rritje.

– Mësuesve për 8 vite iu refuzua paga e 13-të dhe shpërblimi në fund të vitit. Nëse e llogarisim pagën mesatare bruto 65.800, për 8 vite, çdo mësuesi i është grabitur 5 milion e 264 mijë lekë.

– Mësuesve nuk iu rishikua norma mësimore dhe nuk iu paguan orët suplemtare.

– Mësuesve nuk iu akordua asnjë shpërblim në formë vlerësimi gjatë pandemisë. Në Kosovë morën 400 euro plus.

– Mësuesve nuk iu dha asnjë paketë financiare për të përballuar kostot e internetit e pajisjeve smart për mësimin online dhe protokolleve të sigurisë. I blenë të gjitha me pagën e tyre, deri dhe detergjentët për larjet e ambienteve të klasave.

– Mësuesit blejnë më shumë letra për hesap të shkollës e më pak ushqime e veshje për hesap të shtëpisë, për shkak të rritjes së çmimeve disa fish.

– Paga reale e mësuesit sot është më e vogël se ajo para 8 viteve, sepse ai blen më pak artikuj dhe me cilësi më të ulur, për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

– Mësuesit janë pjesa më e mashtruar dhe e keqpërdorur e kësaj keqqeverisje.

Stop mashtrimeve dhe talljeve me grafik e pa grafik të Ramës & ministreshave të tij.

13649232