Më 30 prill 35 mijë shqiptarë do të paguajnë tatim shtesë mbi pagën!

Nga Vehap KOLA

Më 30 prill, 35 mijë shqiptarë do të paguajnë tatim shtesë mbi pagën.

Në vitin 2020, 35 mijë shqiptarë janë të regjistruar në dy punë dhe paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale.

Qeveria Rama aplikon tatim progresiv mbi të ardhurat në tri shkallë:

  • 0 – 30,000 lek, 0%
  • 30,001 – 150,000 lek, 13%
  • Mbi 150,000 lek, 23%

Me ndryshimet ligjore të 2019, të gjithë ata që bëjnë dy punë do të duhet të paguajnë tatim mbi çdo lek të fituar në punën e dytë.

Për këtë, më 30 prill 2021, 35 mijë të dypunësuarit do të rillogarisin tatimin me një formulë që i bashkon të dy pagat.

Nëse merrni 60 mijë lekë të reja në njërën punë dhe 50 mijë lekë të reja në tjetrën, ju keni paguar 3,900 lekë të reja në muaj tatim për pagën e parë dhe 2,600 lekë të reja në muaj për pagën e dytë.

Në total, 6,500 lekë të reja në muaj.

Në 12 muaj, ju keni paguar 78,000 lekë të reja.

Më 30 prill ju duhet të paguani përsëri.

Për të llogaritur sa duhet të paguani, do të mblidhni të dy pagat bruto mujore, që në rastin tuaj janë 60 mijë + 50 mijë, në total 110 mijë lekë të reja në muaj.

Nga totali mujor 110 mijë lekë, do të hiqni 30,000 lekë të përjashtuara nga tatimi dhe diferenca e tatueshme mbetet 80 mijë lekë.

Paga juaj totale përkon në fashën 30,0001 – 150,000 lekë të reja që tatohet me 13%.

Mbi këtë shumë do të llogarisni 13% tatim mbi të ardhurat, që është 10,400 lekë të reja në muaj.

Në 12 muaj, detyrimi bëhet 124,800 lekë të reja.

Nga ky total, do të hiqni shumën që keni paguar çdo muaj gjatë 2020 si tatim mbi të ardhurat, që llogaritëm më lart (78,000 lek):

124,800 – 78,000 = 46,800 lekë të reja.

Kjo është shuma që do të paguani më 30 prill 2021 nëse merrni dy paga 60 dhe 50 mijë lekë.