Ballina Aktualitet 76 vjet nga Kryengritja Antikomuniste e Malësisë së Madhe

76 vjet nga Kryengritja Antikomuniste e Malësisë së Madhe

Nga Bardh SPAHIA

Nderim për trimat e Kelmendit e Malësisë së Madhe të udhëhequr nga Prekë Cali e Llesh Marashi, që organizuan fillimin e qëndresës antikomuniste në vend në fillimvitin 1945 në Malësinë e Madhe. Të organizuar në ditët e fundit të 1944 në Malin e Shkrelit e në Bajzë të Kastratit, fare pak javë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, burrat trima e të urtë të Malësisë i kishin dhënë besën njëri-tjetrit se komunizmin do ta luftonin me armë në dorë, sic kishin luftuar cdo pushtues tjetër.

Prej 3 Janarit e deri më 15 shkurt, ata i bënë qëndresë komunistëve duke mos i lejuar në hynin në zonat që kontrollonin në Malësinë e Madhe. Fatkeqësisht qëndresa nuk u shtri dot në zona të tjera të Shqipërisë dhe kryengritja u shua më 15 shkurt 1945 me kapjen e Prek Calit e bashkëluftëtarëve të tij në shpellën e Vuklit e u pushkatua më pas me shokët e tij, ndërsa 44 qëndrestarë u vranë në atë kryengritje.

Kryengritja e parë antikomuniste e Malësisë së Madhe u shtyp me gjak, por jo shpirti i qëndresës që u shfaq vazhdimisht në vitet e diktaturës, edhe pse u pagua me cmimin më të lartë, jetët e njerëzve, vite të gjata burgosjesh e internimesh dhe persekutimi të pashembullt të Enver Hoxhës e bashkëpunëtorëve të tij ndaj qytetarëve të vet.

Mirënjohje dhe frymëzim për sakrificën sublime të këtyre burrave kundër atyre që i bënë dëmin më të madh këtij vendi dhe popullit të tij në 46 vite diktaturë çnjerëzore!

Exit mobile version