Një Bujar për t’u njohur, një Bujar për t’u mbështetur!

Nga Ardi STEFA

Në të pavetëdijshmen, thuajse gjithmonë ndërlidh emra njerëzish me natyrën e tyre, karakterin a personalitetin. Me atë ç’ka jeta e tyre përfaqëson. E kështu, i kategorizoj në udhëheqës, flegmatikë, bishtnues, lozonjarë, tradicionalë, të shkarë, lakenj, të urtë, punëtorë. Ama e vërteta është se ky kategorizim nuk është gjithmonë korrekt. Por fundja, siç e thashë, është thjesht e pavetëdijshmja. Po të mos ishte e tillë, do të kish tjetër emër.
Për shembull, emrin Kreshnik apo Gjergj gjithmonë e ndërlidh me luftëtarë. Me njerëz që ecin drejt, me zë të kumbueshëm, trupmëdhenj, me sy të thellë dhe sigurisht tradicionalë. E kështu, mund të bëj kategorizime pa fund, në bazë të emrave, përcaktoj tiparet. Lojë e imja, kjo, me veten.

Gjithashtu edhe emrin Bujar. Gjithmonë e lidh me njerëz fisnikë, të qetë e të matur, të drejtë, bujarë, me njerëz që përpiqen për të tjerët e japin. Natyrisht që këtë emër e lidh edhe me luftëtarë dhe fitimtarë.

Të njëjtën ndjesi kam pasur edhe kur kam dëgjuar e më pas njohur në vitin 1994 me Bujar Leskajn.

Por Bujar Leskaj është një tjetër lloj luftëtari: lufton me kohën, me çastin dhe me dritën. Lufton për të shkuarën; lufton për të tashmen, lufton për të ardhmen. Për ata që nuk e njohin, është një ndër djemtë e suksesshëm të Vlorës, me një karrierë të admirueshme politike e administrative, por edhe me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme për Vlorën e vlonjatët, për historinë e traditat e Labërisë, për personazhet më të spikatura të Vlorës, Shqipërisë e Kosovës.

I lindur në Vlorë, Bujari edhe pse shumë vite të jetës së tij i kaloi në kryeqytet, për asnjë çast nuk u shkëput nga rrënjët. Vlora i dha krahë, Vlora i dha edhe rrënjët. Vlora i dha edhe shpirtin. Për asnjë çast nuk u shkëput nga Vlora dhe njerëzit e saj, sado lart që arriti, sado karrierë të lakmueshme që pati.

Nuk kishte aktivitet shoqëror, historik, kulturor, sportiv ku Bujari të mos ishte i pranishëm.

Nuk kishte aktivitet ku Bujari të mos ishte kontribues. Adhurues i artit, adhurues i këngës labe, adhurues i historisë e i traditave, Bujarin do ta kishe gjithmonë aty, me fjalën e mirë, dashamirësinë, mbështetjen financiare, morale e shoqërore. Bujari është një njeri shumë human, i ditur e shumë i lexuar, adhurues i madh i artit e i pikturës. Di të respektojë e nderojë çdo mik. I qetë, i matur, rigoroz, me mirësjelljen e tij ka hyrë në familjen e çdo vlonjati; në gëzimet, hidhërimet; u është gjendur e ka ndihmuar të gjithë ata që i janë drejtuar në ditë të vështira e për halle nga më të ndryshmet.

Asnjë mik s’ka humbur Bujar Leskaj. Përkundrazi! Miqtë e tij shtohen dita- ditës.

Por sot, nuk dua të shkruaj për Bujarin si “njeri i letrave dhe i artit”, as për Bujarin si shtetar dhe kontributin e tij në krye të KLSH, as për Bujarin si pedagog dhe botimet e tij të shumta në fushën e ekonomisë, politikës, historisë, madje edhe letërsisë. As për Bujarin publicist e adhurues të historisë.

Sot dua të shkruaj për Bujarin sfidues!

Për Bujarin sfidues që në vitin e mbrapshtë 1997, iu bashkua Partisë Demokratike dhe mori përsipër ringritjen e degës së shpartalluar të Vlorës. Dhe ia doli!

Për Bujarin që iu bashkua Partisë Demokratike, në atë kohë kur të gjithë përfituesit nga ajo e braktisën, pasi kishin përfituar gjithçka e shumë prej saj…

Për Bujarin që nuk e braktisi asnjëherë Partinë Demokratike, që t’i “ribashkohej” në finish, kur fitorja shfaqej në horizont.

Nuk e bëri atëherë, nuk e bëri as në 2020-ën, kur përpara “luksit” të rikandidimit për kreun e KLSH, apo cilindo post që do të dëshironte, përzgjodhi t’i përkushtohej Vlorës dhe kandidimit për deputet me opozitën.

Sot dua të shkruaj për Bujarin fitues!

Për Bujarin me aftësi të shkëlqyera profesionale, talentin e padiskutuar organizativ, autoritetin intelektual dhe mprehtësinë politike.

Sot dua të shkruaj për Bujarin politikan dhe sfidën e tij të madhe, natyrisht edhe barrën e tij po aq të madhe që ka marrë mbi shpatulla. Ndryshe nga shumë të tjerë Bujari, nuk i mori PD, i dha!

Ashtu siç i dha fitoren në 2005 kur kandidoi në një zonë të vështirë dhe fitoi.

Nuk e mohoj se ardhjen e tij në Vlorë, si drejtues politik të qarkut për PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021, e prita me gëzim dhe entusiazëm. Sepse besoj tek ambicia e tij, tek aftësitë e tij organizative, te puna e palodhur, formimi skrupuloz, te objektivat e tij të qarta, por edhe tek natyra e tij, gjithmonë fituese.

Natyrisht që entusiazmi shoqërohet gjithmonë edhe me frikën, se mos, të entusiazmuar nga ardhja e tij, nga aftësitë dhe autoriteti i padiskutueshëm i tij, “bashkëpunëtorët” do të bien “në qetësi” dhe do t’ia lënë atij të gjithë barrën dhe peshën e fushatës.

Por Bujari di si t’i bëjë për vete njerëzit. Si t’i respektojë e t’u vërë në pah vlerat. Di si t’i bëjë njerëzit bashkëpunëtorë, t’i motivojë e inkurajojë.

Ai tashmë është kthyer plotësisht në Vlorë. I ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e madhe që ka marrë në emër të PD, ai është rikthyer në qytetin e tij të lindjes, ku gëzon autoritet dhe respekt të padiskutuar nga të gjithë vlonjatët.

I ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e madhe që ka marrë, ai për asnjë moment nuk fjeti mbi dafina, por përveshi mëngët e iu shtrua punës që në Vlorë dhe nga Vlora të bëhet kthesa e madhe.

Ardhja e tij në “bastionin” e së majtës, në bastionin, që për shumë të tjerë do të dukej si “mision i pamundur”, bëri që demokratëve t’u rikthehej shpresa, t’u rikthehej besimi. Sepse ata e njohin Bujarin. E dinë se ai nuk di t’i trembet betejës, përballjes, sfidave. Nuk bishtnon! Nuk i druhet djersës dhe lodhjes! Kanë besim tek vizioni i tij, intelekti dhe puna metodike.

Objektivat i ka të qarta dhe të kristalizuara. E njeh mirë terrenin, i njeh mirë njerëzit, mentaliteitin e tyre. Ai punon me këmbë në tokë!

I instaluar në Vlorë gjatë gjithë javës, familja në Tiranë e sheh vetëm në fundjavë. Sakrificë kjo, që shumëkujt mund t’i dukej e tepërt dhe e pakuptimtë, për shkak se si deputet i parë ai është në çdo rast në parlament. Por jo. Ai punon, punon, jo vetëm për vete. Mbi të gjitha punon për fitoren e PD!

Takime të shumta gjatë gjithë ditëve të javës, jo vetëm me strukturat e Partisë Demokratike, (të cilat duhet thënë se me ardhjen e tij, u mobilizuan e u organizuan më shumë), por edhe me njerëz të thjeshtë anëtarë ose jo të PD, të rinj, grupe interesi, intelektualë…

Brenda një muaji ai u takua e bisedoi me të gjitha grupseksionet e PD në Vlorë, Himarë, Selenicë e fshatra, por edhe me FRPD, intelektualët, mjekët, mësuesit…

Nuk u mjaftua me kaq. I papërtuar i ra kryq e tërthor edhe Sarandës e Delvinës në takime me strukturat dhe me njerëzit. Dëgjoi demokratët dhe jo vetëm, aq sa nuk i kishin dëgjuar në 30 vite. Di të flasë gjuhën e tyre, di t’i kuptojë. Di të premtojë e t’i mbajë ato. Ky është Bujari. S’rri dot pa sfida. Atje ku është beteja është ai.

Bujar Leskaj di si t’u drejtohet njerëzve dhe t’u ngjallë besim dhe shpresë. Di si t’i bindë vlonjatët se alternativa e djathtë është përparim dhe shpresë. Ai di si t’i bindë njerëzit se ne të djathtët ndryshojmë nga kundërshtarët. Ai di si t’u ngjallë shpresën demokratëve të vërtetë për rezultat pozitiv në Vlorë.

Bujari ka përpara një sfidë të vështirë, por jo të pamundur!

Sfida e tij është sfida e të gjithë demokratëve e njerëzve progresistë! Dhe është një sfidë që do të kurorëzohet me një rezultat shumë pozitiv.

Mund të zgjatesha edhe më…

Për Bujarin me format si shtetar, me formatin qytetar e intelektual që di të qëndrojë në lartësinë e kërkesave të kohës!

Për Bujarin që duhet njohur, për Bujarin që duhet mbështetur!…

Kush është Bujar Leskaj?

(Burimi: Wikipedia)

Ka lindur në Vlorë në 3 korrik 1966.
Edukimi
UT, Fakulteti Gjeologji-Miniera – 1990; Inxhinier nafte
UT, Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë – 1998; Ekonomist
UT, Fakulteti i Drejtësisë – 2002; Jurist
Universiteti i Nebraskës – Lincoln, SHBA, Departamenti i Menaxhimit (Diplomë për mësimdhënie në nivel masteri në Administrim publik) – shkurt-qershor 2003.
UT, Dhoma Kombëtare e Avokatëve, titulli Avokat – 2004;
Universiteti Bamberg, Gjermani – specializim për Financat publike – 2005 (shkurt).
Shkolla e Studimeve të thelluara pasuniversitare pranë Fakultetit të Ekonomisë (2002-2006);
Master në Financë ( qershor 2006 )
Doktor i Shkencave ekonomike (në fushën e financës), dizertacioni i mbrojtur pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Ekonomik me temë: “Senjorazhi dhe disa probleme të tij në Shqipëri” (2009).
Veprimtaria profesionale
1993-1994: doganier në Degën e Doganës, Vlorë,
1994-1997: Kryetar i Degës së Doganës, Vlorë,
1997 (prill-gusht): Nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave,
2000-2005 pedagog në UT, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti Financë, Lektor i lëndës “Paraja dhe Banka”,
2005 – 2009 pedagog i jashtëm në UT, Fakulteti i Ekonomisë,
tetor 2009 – 2011 pedagog në UT, Fakulteti i Ekonomisë, Departamenti Financë, Lektor i lëndëve “Paraja dhe Banka”, “Financë”.
dhjetor 2011 – ne vazhdim, Kryetar i Kontrollit te Larte te Shtetit.

Veprimtaria politike
1997 (janar): anëtar aktiv i PD-së;
2001-2005: anëtar i Bordit financiar të PD-së;
2001 e në vazhdim: anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së zgjedhur nga Kuvendi i 7-të, i 8-të (2005) dhe i 9-të (2009), Kombëtar të Partisë;
2005 – 2009: Deputet i Kuvendit te Shqipërise Legjislatura: XVII, Zona zgjedhore: 94, Qarku: Vlorë, Nr. i votave: 6272, Përqindja: 48%
shtator 2005 – mars 2007: Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit
2007 – 2009. Anëtar i delegacionit të përhershëm të Parlamentit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Botimet
· “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009”, Tiranë 2009
· “Brenda dhe Jashtë…PARLAMENTIT (maj 2007-maj 2009)”, Tiranë 2009
· “Senjorazhi” – Punim Doktorature, Tiranë 2009
· “Paraja dhe Banka” (Cikël Leksionesh), Tiranë 2011
· “Leksione në Financë” (Pjesa e I), Tiranë 2011
· “Muzat e Qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar), Tiranë 2011
· “Historiku i KLSH-së 1925-2012”- bashkëautor.