“Ne punojmë prej vitesh të keqpaguar”, mjeku i njohur thirrje kolegëve: A do të vazhdojmë të jetojmë me frikë?

Nga Ilir ALLKJA

Të dashur mjekë të Shqipërisë!

Ne punojmë prej vitesh të keqpaguar, të ofenduar e frustruar nga arroganca e pushtetarëve, të lodhur nga mungesat të theksuara në mjete.

Kjo nuk përbën lajm në Shqipëri, ne tashmë e dimë, pacientët tanë e dinë, ndaj unë s’dua t’ju marr kohën me detaje.

Nëqoftëse kontrollojmë të dhënat e Bankës Botërore si dhe ato të Eurostat do te shohim të dhëna poshtëruese per ne si mjekë, drithëruese për pacientët tanë.

Ka detaje për paratë që harxhojnë qeveritë për banorë, numrin e shtretërve, numrin e mjekëve, numrin e infermierëve si dhe shumë detaje që mund t’i qëmtojë secili ngeshëm.
Unë nuk po shkruaj as që të bëj viktimën e si një pushuar nga puna thjesht sepse përdora lirinë e fjalës për të kërkuar përmirësime në sistem.

Unë dua të ndez alarmin tek ju për të parë atë që ka filluar të na mungojë më fort, DINJITETI dhe LIRIA!

Nuk besoj se është e pranueshme për mjekët të pranojnë t’i drejtojnë e udhëzojnë injorantët, të paaftët, delenxhinjtë që e kanë përdhosur këtë vend deri në këtë farë feje.

Nuk dua të çoheni të më përkrahni mua, aspak!

Unë këtë betejë e kam filluar vetëm dhe do të shkoj deri ku të mundem.

Unë dua të mendoni nëse do të donit të përfundoni si unë, të linçuar ekstremisht nga pushteti vetëm sepse kërkova siguri, kushte më të mira për të zbatuar profesionin tim, dhe për t’ju shërbyer pacientëve?!

Mjekët belgë i kthyen shpinën kryeministres Sophie Ëilmes në slitalin Sant Pierre në lagjen Marollen, ndërsa kryeministri italin, Conte nuk guxon të shkojë dot në një spital, pasi bluzat e bardha do ta kryqëzojnë me kritika. Bëhet fjalë për një nga vendet me mjekësi tej të zhvilluar. Nuk ka nevojë të zgjatem se si trajtohen mjekët këtu.

Nuk besoj që ndonjëri prej jush të ndjej respekt e mirënjohje për kryeministrin apo ministren e vendit, për mënyrën si na kanë trajtuar, tërë këto vite.

Edhe ata që janë rreshtuar dhe i kanë duartrokitur qeverritarët, e kanë bërë nga frika!
Po, po, nga frika, ma kanë pohuar disa prej tyre. Shumë pak e kanë bërë nga hipokrizia, për të mbrojtur ofiqet.

A do të vazhdojmë të jetojmë me frikë të dashur kolegë?

A ja kemi ne, nevojën qeverisë që të nënshtrohemi apo qeveria duhet të na trajtojë me dinjitet si partnerë, si dhënës shërbimi e të respektojë qenien tonë si njerëz në radhë të parë, por edhe si mjekë!

allkja