Avokati i Popullit reagon ndaj shoqërimit të gazetarit Bekim Bici: Të marren masa ndaj dy policëve

Avokati i Popullit ka reaguar ndaj policisë për shoqërimin e gazetarit Bekim Bici në komisariat.

Gazetari Bekim Bici ka qënë në krye të detyrës gjatë zhvillimit të protestave të të rinjve pas vrasjes së 25 vjeçarit Rasha nga policia, por është shoqëruar në mënyrë briutale në rajonin e policisë.

Avokati i Popullit i kërkon Drejtorisë së Poklicisë që të marrë masa disiplinore ndaj dy policiëve që shoqëruan gazetarin.

Raporti i Avokatit të Popullit

AVOKATI I POPULLIT
Seksioni i Veçantë
Adresa: Bulevardi: “Zhan D’Ark” Nr.2 Tel/Fax:+355 4 2380 300/315
Tiranë, Shqipëri E-mail: [email protected]
www.avokatipopullit.gov.al

Lënda: Rekomandim për zbatimin me korrektësi të rasteve dhe kritereve ligjore të shoqërimit të shtetasve në ambientet e organeve të Policisë së Shtetit dhe trajtimin e tyre me dinjitet në përputhje me aktet normative në fuqi.

DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT
Tiranë

DREJTORISË VENDORE TË POLICISË
Tiranë

Sikurse ju kemi vënë në dijeni, në Institucionin e Avokatit të Popullit ka dërguar për dijeni një letër – ankesë drejtuar Këshillit të Europës, Zyra për “Të drejtat e njeriut”, Platforma për të promovuar mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve, shtetasi Bekim Bici, redaktor dhe gazetar pranë Televizionit Fax Neës. Me anë të kësaj letre ai na vë në dijeni për një ngjarje aspak të hijshme që i ka ndodhur për shkak të profesionit si gazetar.

Sipas ankuesit, në datën 9 mars 2020, rreth orës 21:30, nga burime të tij është informuar se një shtetas turk, i quajtur Selami Simsek, i cili po atë ditë kishte fituar lirinë nga Gjykata e Apelit Tiranë, po mbahej prej 10 orësh në një furgon dhe shoqërohej nga policia. Sipas të njëjtave burime, për këtë shtetas turk autoritetet shqiptare po përgatisnin dëbimin nga vendi, pavarësisht kërkesës së tij për azil, sepse në Turqi i rrezikohej jeta nga regjimi i Presidentit aktual Rexhep Tayip Erdogan, për shkak se konsiderohej si pjesë e mbështetësve të klerikut në emigrim Fetullah Gulen. Ai kërkonte të fliste për televizionin Fax Neës, ndërkohë paraprakisht ishte dërguar një video ku i ati i tij apelonte për ndihmë.

Rreth orës 23:45, ankuesi ka shkuar pranë ambienteve të Ministrisë së Brendshme, në një parking në rrugë, ku po mbahej shtetasi Selami Simsek, në një furgon “Volsëagen” me targë TR9087L dhe me xhama të zinj. Pranë furgonit ndodhej edhe i ati i tij. Ankuesi ka tentuar që të marrë leje nga efektivët që mbanin të mbyllur në furgon shtetasin Selami Simsek, por nuk është lejuar prej tyre dhe se ata nuk janë identifikuar se kush ishin. Nga burimet e veta ankuesi është informuar se efektivët ishin nga Drejtoria e Emigracionit. Rreth orës 00:30, në ambientet e Ministrisë së Brendshme, është afruar një makinë tip “Golf 5”, nga ku ka dalë Ministri i Brendshëm z. Sandër Lleshaj, dhe pas tij kanë ardhur edhe 2 makina të tjera të Ministrisë së Brendshme, që shoqëronin atë. Pas kësaj, i nxitur nga intuita e gazetarit ai është afruar pranë Ministrisë së Brendshme, ku po priste që të dilte z. Sandër Lleshaj. Gjatë kësaj kohe, burimet e kanë informuar se në ambientet e brendshme të Ministrisë ishte mbledhur një këshill, që po diskutonte dhe do të vendoste për fatin e shtetasit Selami Simsek.

Gjatë kohës që ai priste daljen e Ministrit të Brendshëm, mëson që aty ndodhej edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Ardi Veliu. Gjatë kësaj kohe, kur do të dilte Ministri i Brendshëm, një punonjës që shoqëronte ministrin, e ka kërcënuar që të largohej, por ai nuk ka pranuar pasi ishte në krye të detyrës si gazetar dhe nuk po kryente asnjë shkelje.

Pas tij i janë afruar dy punonjës policie, të cilëve pavarësisht se kishte mjetin e identifikimit si gazetar, i tregoi arsyen se përse po priste. Ata kanë tentuar që ta largonin duke e kapur prej krahu dhe shtyrë. Në atë moment ka dalë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë z. Ardi Veliu, të cilit i ka kërkuar të tregojë se çfarë po ndodhte me shtetasin Selami Simsek. Ai nuk i ka kthyer përgjigje por ka urdhëruar efektivët që ta shoqëronin ankuesin. Fragmenti i shoqërimit të tij është fiksuar me telefon nga kolegu i tij gazetar, Ariglon Pali.

Në orën 01:00 të datës 10.03.2020 ankuesi është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ku është mbajtur deri në orën 03:15 minuta, pa i dhënë asnjë shpjegim se përse i privonin lirinë teksa ushtronte profesionin si gazetar në përputhje me të gjitha ligjet e Republikës së Shqipërisë. Efektivi që ka plotësuar formularin e shoqërimit i ka thënë se ishte porosi dhe në dokument ka shkruajtur “Porosi nga 390”. Pas tij në ambientet e policisë ka shkuar edhe kolegu i vet, gazetari Ariglon Pali, i cili kishte filmuar shoqërimin e bërë atij. Ndërsa më vonë kanë ardhur edhe rreth 20 persona të tjerë.

Pasi e kanë futur e mbyllur në një dhomë shoqërimi, i ka shkuar një efektiv policie, i cili i ka kërkuar që të shkonin në zyrën e tij. Atje, priste edhe një tjetër efektiv policie, i cili ka tentuar disa herë ta intimidonte dhe kërcënonte. Ai i ka thënë se nuk duhet të përzihej në “çështje të mëdha” pasi sipas tij ishin “punë mes dy shteteve”, në këtë rast mes Shqipërisë e Turqisë. Ndër të tjera, ky person, identitetin e të cilit nuk e mësoi, por mund ta njohë nëse e shikon, i ka thënë: “Mos kërko të bëhesh martir me zor”. Sipas ankuesit kjo është një shprehje e drejtpërdrejtë kërcënimi. Efektivi që e shoqëroi në zyrë, pasi foli dy herë në telefon me dikë, i ka kërkuar që të hapte telefonin, me të cilin ai kishte filmuar gjithçka ndodhi. Ankuesi nuk ka pranuar, por ai i ka thënë se nëse nuk do ta hapte me dëshirë, kishte edhe mënyra të tjera. Ankuesi i ka thënë atij se, askush nuk mund të hapë telefonin e tij, nëse nuk ka një kërkesë nga Prokuroria dhe një Urdhër nga gjykata. Efektivi i policisë ka dalë jashtë zyre dhe ka diskutuar me dikë në telefon dhe pas kësaj bisede e ka detyruar atë që të fshinte videot, por fatmirësisht ato ai i kishte dërguar në disa adresa dhe i disponon edhe sot si provë.

Pasi e kanë intervistuar duke i bërë pyetje si: “Përse ishte pranë Ministrisë” dhe “Përse donte të intervistonte Ministrin e Brendshëm”, rreth orës 03:15 të mëngjesit e kanë lënë të lirë, duke i kërkuar që në formular të shkruante se: “Nuk kam asnjë problem me policinë”. Ankuesi pretendon se kjo është hera e dytë që e shoqërojnë pa arsye në organin e policisë dhe vetëm me një urdhër ilegjitim.

Në përfundim të letrës së tij ai kërkon që të reagohet menjëherë ndaj shoqërimit, intimidimit dhe kërcënimit që i është bërë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, sepse si gazetar ndihet i rrezikuar nga shteti i tij dhe i kërcënuar nga personi apo personat të identifikuar me kodin “390”.

Në lidhje me këto shqetësime të ngritura nga ankuesi në bazë të kërkesës tonë, Drejtoria Vendore e Policisë (DVP) Tiranë me shkresën nr. 3550 prot., datë 13.05.2020 ndërmjet të tjerave na informoi se, në datën 10.03.2020, ora 01:00, është bërë shoqërimi shtetasit Bekim Bici në ambientet e këtij organi. Shoqërimi është bërë duke zbatuar të gjitha rregullat dhe procedurat e shoqërimit. Pasi janë kryer veprimet e para procedurale të shoqërimit brenda një kohë të shpejtë janë kryer veprimet e tjera procedurale nga Specialisti i Njësisë Rajonale të Antiterrorit Tiranë dhe se ankuesi është lënë i lirë në orën 03:00. Sipas DVP Tiranë, shtetasi Bekim Bici nuk ka patur asnjë pretendim për sjelljen e policisë dhe këtë fakt e ka pasqyruar edhe në regjistrin e evidentimit të të dhënave për personat e shoqëruar.

Gjithashtu në këtë shkresë u informuam se pretendimet e ngritura nga ankuesi ndaj strukturave të Policisë së Shtetit nuk qëndrojnë sepse nga këto struktura është zbatuar me korrektësi ligji.

Së bashku me përgjigjen na u dërgua edhe fotokopja e formularit të raportit të shoqërimit të tij dhe e fletës së regjistrit të evidentimit të të dhënave për personat e shoqëruar, ku janë pasqyruar të dhënat e të shoqëruarit Bekim Bici.

Nga formulari i raportit të shoqërimit të shtetasit Bekim Bici rezulton se arsyeja e shoqërimit të tij në organin e policisë ka qënë si “person ndaj të cilit ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale”.

Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 3481/1prot., datë 01.07.2020 ndërmjet të tjerave na informoi se, në datën 10.03.2020, ora 01:00, është bërë shoqërimi i shtetasit Bekim Bici në ambientet e DVP Tiranë si person i dyshuar për veprime të kundërligjshme, pranë ambienteve të Ministrisë së Brendshme. Pas kryerjes së verifikimeve të nevojshme, si dhe intervistimit të tij nuk ka rezultuar që ai të kishte kryer veprime të kundërligjshme dhe në orën 03:00 të datës 10.03.2020, shtetasi Bekim Bici është lënë i lirë.

Po ashtu kjo drejtori na informoi se i shoqëruari është verifikuar dhe marrë në intervistë edhe nga një Specialist i Njësisë Rajonale të Antiterrorit, Tiranë, por duke qënë se nuk janë konstatuar elementë të veprës penale objekt i punës së kësaj drejtorie nuk janë kryer veprime procedurale të mëtejshme.

Përveç sa më sipër në këtë shkresë u informuam se, ndaj tij janë zbatuar dhe respektuar procedurat standarde të shoqërimit dhe kërkesat e ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.

Meqënëse informacioni i dërguar nga DVP Tiranë nuk ishte i plotë, me shkresën nr. K2/B7-3 prot., datë 07.10.2020 i kërkuam këtij organi që të na dërgonte një informacion shtesë lidhur me informacionet dhe të dhënat e administruara ndaj shtetasit Bekim Bici të cilat kanë krijuar dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale. Gjithashtu i kërkuam që së bashku me informacionin të na dërgonte edhe fotokopje të dokumenteve mbi bazën e të cilave janë krijuar dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale.

DVP Tiranë me shkresën nr. 7469/1 prot., datë 15.10.2020, ndërmjet të tjerave na informoi se veprimet procedurale me shtetasin e shoqëruar Bekim Bici janë kryer nga specialistët e Njësisë së Anti Terrorit Tiranë, Eduard Prenga dhe Ermal Deliu. Ndërsa lidhur me kërkesën se çfarë informacionesh dhe të dhënash janë administruar lidhur me shtetasin Bekim Bici të cilat kanë krijuar dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, na referoi që t’i drejtohemi Drejtorisë së Antiterrorit.

Drejtoria e Antiterrorit me shkresën nr. 1083/1 prot., datë 29.10.2020 na bën me dije se në datën 10.03.2020, rreth orës 01:00, është njoftuar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në ambientet e këtij organi ishin shoqëruar disa shtetas, pasi në datën 09.03.2020 , rreth orës 23:30 ishin mbledhur përpara ambienteve të Ministrisë së Brendshme dhe po protestonin për mos ekstradimin drejt Turqisë të shtetasit turk Selami Simsek, i cili kishte përfunduar një dënim penal në Shqipëri për kryerjen e një vepre penale dhe kërkohej nga autoritetet policore në Turqi për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste. Ndërmjet të shoqëruarëve nga shërbimet e DVP Tiranë ishte edhe shtetasi Bekim Bici, i cili është prezantuar si redaktor dhe gazetar pranë Televiziont Fax Neës.

Pas njoftimit të marrë nga DVP Tiranë, strukturat e Drejtorisë së Antiterrorit kanë asistuar në ambientet e DVP Tiranë për identifikimin dhe verifikimin e personave të shoqëruar, përfshirë edhe personin e prezantuar si gazetar, duke respektuar kërkesat e ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Meqënëse nuk janë konsatuar elemente të veprës penale objekt i punës së Drejtorisë së Antiterrorit, nuk janë kryer veprime procedurale.

Nga përgjigjet dhe dokumentet e cituara më sipër rezulton se, ndonëse shtetasi Bekim Bici me profesion gazetar dhe redaktor i Televizionit Fax Neës është shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë si “person ndaj të cilit ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale”, në fakt ndaj tij nuk ka asnjë informacion apo të dhëna që të krijojnë dyshime të arsyeshme se ai është autor i ndonjë vepre penale.

Vlerësojmë të sjellim në vëmendje se e drejta e punonjësve të Policisë së Shtetit për të bërë shoqërimin e shtetasve në mjediset e organeve të policisë, rastet dhe qëllimet e aplikimit të masës së shoqërimit, përgjegjësitë e punonjësve të policisë në rastet e shoqërimit, zbatimi i të drejtave të njeriut dhe siguria për personin e shoqëruar, dokumentimi i shoqërimit në polici dhe rregullat teknike të shoqërimit janë parashikuar në mënyrë shumë të qartë në nenet 6/25, 109 dhe 122/1 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, si dhe në Procedurën standarde të punës për “Rregullat teknike të shoqërimit në mjediset e Policisë së Shtetit”, miratuar me urdhrin nr. 938 datë 24.07.2019 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në kreun V “Rastet dhe qëllimet e aplikimit të shoqërimit” të Procedurës standarde të punës për “Rregullat teknike të shoqërimit në mjediset e Policisë së Shtetit” parashikohet se:
“Akti/veprimi i shoqërimit të detyrueshëm si akt i shtrëngimit personal, mund të kryhet vetëm kur ekzistojnë kushtet e rastet e përcaktuara në ligj, si:

A. Për identifikimin e personit;
B. Si masë mbrojtëse;
C. Ekzekutimin e një urdhri apo detyrimi të njohur me ligj;
D. Sqarimin e një rrethane.”

Nga formulari i raportit të shoqërimit të shtetasit Bekim Bici rezulton se, shoqërimi i tij në organin e policisë është bërë nga punonjësit e policisë Ernando Cjapi dhe Alban Kulici, efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë. Shoqërimi është bërë në bazë të nenit 109, gërma “c” të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit, kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale, si dhe në bazë të gërmës “D” të Kreut “V” të Procedurës së cituar më sipër.

Sipas pikës D/4, shoqërimi bëhet për “Sqarimin e një rrethane”:

4.1 Të personit për të cilin ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale;

4.2 Për të parandaluar kryerjen e një vepre penale;

4.3 Personi është larguar pas kryerjes së një vepre penale;

4.4 Të personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, sipas kushteve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale;

4.5 Kur personi është njoftuar për paraqitje në ambientet e policisë (sipas nenit 108 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe pa arsye e shkaqe ligjore nuk është paraqitur. Në këtë rast qëllimi i njoftimit dhe shoqërimit është, marrja e informacioneve që kanë të bëjnë me:

a) Parandalimin e veprimit ose mosveprimit të kundërligjshëm.

b) Për të identifikuar personin që mund të ketë dijeni për rrezikun apo incidentin.

c) Për të identifikuar shkelësin e mundshëm të ligjit.

Njoftimi për paraqitje bëhet me anë të fletë-thirrjeve ose verbalisht. Nëse personi kundërshton paraqitjen pa shkaqe të arsyeshme, aplikohet shoqërimi forcërisht dhe kundër vullnetit të tij”.

Nga përmbajtja e 109, gërma “c” të ligjit nr. 108/2014 dhe të gërmës “D” të Kreut “V” të Procedurës kuptohet se, shoqërimi i një shtetasi duhet të bëhet vetëm nëse ndaj tij ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale. Këto dyshime nënkuptojnë ekzistencën e një apo e disa të dhënave konkrete, e fakteve dhe e rrethaneve objektive, të ndryshme nga supozimet apo hipotezat, sepse ndryshe kalohet në arbitraritet dhe shkelje të rënda të të drejtave të shtetasve.

Mosdisponimi i të dhënave konkrete, e fakteve dhe e rrethaneve objektive nga organi apo punonjësit e policisë, provon plotësisht se shoqërimi i shtetasit Bekim Bici në ambientet e DVP Tiranë nuk është bërë në përputhje me kriteret ligjore të parashikuara në ligjin dhe në procedurën standarde të punës të cituar më lart.

Ndërkohë duhet të theksojmë se në momentin e shoqërimit shtetasi Bekim Bici ka qenë duke ushtruar detyrën e tij si gazetar. Kjo ka sjellë si pasojë edhe pengimin e tij për të ushtruar profesionin e gazetarit, i cili është i garantuar me ligj. Është rasti t’ju sjellim në vëmendje se këtë shqetësim e kemi trajtuar edhe më parë dhe konkretisht në rekomandimin drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile me shkresën nr. K2/I18-4 prot., datë 21.07.2020. Në pikën 3 të tij kemi rekomanduar: “Marrjen e masave të nevojshme nga strukturat e Policisë së Shtetit për të garantuar të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe raportimit të ngjarjeve nga gazetarët e pranishëm në tubime apo aktivitete të tjera të kësaj natyre.”

Përveç sa parashtruam më lart, gjatë shqyrtimit të këtij rasti konstatuam se nga punonjësit e policisë Eduard Prenga dhe Ermal Deliu me detyrë Specialistë të Njësisë Rajonale të Antiterrorit Tiranë të cilët kanë kryer veprime me të shoqëruarin, nuk është përpiluar dhe dhënë ankuesit një kopje e procesverbalit për veprimet e kryera me personin e shoqëruar, sikurse parashikohet në nenin 109/5 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe në Kreun VII, pika 1, gërma “f” të Procedurës standarde të punës.

Vlerësojmë se rasti i shoqërimit të shtetasit Bekim Bici në organin e policisë në kundërshtim të hapur dhe të plotë me aktet normative në fuqi nuk duhet të kalonte pa u analizuar dhe nxjerrë përgjegjësitë ndaj punonjësve që kanë kryer shkeljet ligjore. Strukturat drejtuese të DVP Tiranë dhe ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sapo u informuan nga institucioni ynë duhet të vepronin menjëherë për të marrë masat e nevojshme. Kalimi në heshtje i rasteve të tilla është jo vetëm i dëmshëm por edhe me pasoja për të ardhmen për shkak të përsëritjes së tij. Këto shkelje të ligjit nuk cenojnë vetëm të drejtat ligjore të shtetasve të caktuar, por në të njëjtën kohë dëmtojnë edhe në imazhin dhe reputacionin e Policisë së Shtetit në publik.

Ndonëse nga ana jonë nuk është provuar pretendimi i ankuesit se është intimiduar nga oficerët e policisë gjyqësore që e kanë marrë në pyetje, por lidhur me këtë shqetësim sjellim në vëmendje se, në datën 17.09.2019, Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor ose Poshtërues (më poshtë CPT) ka bërë publik raportin mbi vizitat që ka kryer në disa institucione të privimit të lirisë në Shqipëri, nga data 20 deri në datën 30 Nëntor 2018. Në pjesën e raportit që ka të bëjë për Policinë e Shtetit, shkronja “A”, përshkruhen konstatimet dhe rekomandimet për trajtimin e personave të ndaluar/arrestuar. Disa nga rekomandimet që kanë të bëjnë me parandalimin e keqtrajtimit, përdorimin e forcës dhe hetimin e ankesave ndaj Policisë së Shtetit, janë si më poshtë:

“A. Ndalimi nga Policia
2. Keqtrajtimi
14. Është thelbësore të sigurohet që punonjësit e policisë në të gjitha nivelet të jenë të vetëdijshëm se qeveria është e vendosur të pengojë keqtrajtimin e personave të privuar nga liria duke forcuar përgjegjshmërinë e policisë dhe duke hetuar në mënyrë efektive pretendimet për keqtrajtim.

CPT rekomandon që autoritetet shqiptare të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të luftuar keqtrajtimin nga punonjës të policisë. Në veçanti, duhet t’u sillet në vëmendje punonjësve të policisë se të gjitha format e keqtrajtimit (përfshirë dhunën verbale) janë të paligjshme dhe do të dënohet në përputhje me rrethanat.

Oficerët e policisë gjithashtu duhet të trajnohen që të mos përdorin forcë më shumë sesa është nevojshme kur kapin një person dhe pasi ai është arrestuar dhe mbahet nën kontroll, nuk mund të ketë asnjë justifikim për goditjen e tij. Kur vlerësohet e nevojshme të prangoset një person, prangat në asnjë rrethanë nuk duhet të jenë tepër të shtrënguara dhe duhet të mbahen për aq kohë sa është e nevojshme.

15. Përbërës thelbësor i çdo strategjie për të parandaluar keqtrajtimin është shqyrtimi i kujdesshëm nga autoritetet kompetente i të gjitha ankesave për keqtrajtim dhe dhënia e një dënimi të përshtatshëm. Nëse nuk ka reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj një të dhëne për keqtrajtim, personat e cënuar shpejt do të besojnë se këto shkelje nuk ndëshkohen. Në mënyrë që hetimi mbi keqtrajtimin e mundshëm të policisë të jetë efektiv, procedura duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme. Hetime të tilla duhet të përputhen ndër të tjera me kriterin e shpejtësisë, tërësisë dhe gjithëpërfshirjes.

Ndërkohë është rasti që të sjellim në vëmendje shqetësimin e konstatuar që prej disa vitesh nga Avokati i Popullit lidhur me faktin që oficerët e policisë gjyqësore i kryejnë veprimet procedurale me shtetasit në zyrat e tyre të punës. Këto ambiente nuk janë të monitoruara me kamera për vëzhgimin veprimeve procedurale të kryera nga oficerët e policisë gjyqësore.

Lidhur me këtë fakt, Avokati i Popullit në vijimësi i ka rekomanduar organeve të Policisë së Shtetit marrjen e masave për krijimin e zyrave të veçanta ku merren në pyetje shtetasit gjatë kryerjes së veprimeve procedurale nga oficerët e policisë gjyqësore dhe instalimin e sistemit të monitorimit me kamera në këto zyra, por ky rekomandim nuk është zbatuar ende nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Avokati i Popullit, duke iu referuar standardeve ndërkombëtare, e konsideron procesin e monitorimit filmik një element parësor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, pasi ka efekt parandalues për kryerjen e veprimeve të dhunshme dhe të dënueshme, si nga ana e të shoqëruarve, ndaluarve e arrestuarve, ashtu dhe nga vetë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu theksojmë se, edhe nëse në datën e shoqërimit të ankuesit Bekim Bici ka pasur organizim proteste tek Ministria e Brendshme, nga punonjësit e policisë duhej ndarë pozicioni i gazetarit nga protestuesit sipas parashikimeve të ligjit “Për tubimet” dhe ai nuk duhej të trajtohej si protestues i paligjshëm.

Avokati i Popullit në përmbushje të misionit ligjor të parashikuar në nenin 2 të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, si nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend, gjykon se bazuar në evidentimin e problematikës të lartpërmendur, lind nevoja e një reagimi më të fortë nga strukturat e Policisë së Shtetit, për të garantuar respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shtetasve lidhur me rastet dhe kriteret e shoqërimit në ambientet e komisariateve/stacioneve të policisë apo në institucione të tjera në përputhje me aktet normative në fuqi.

Për sa më sipër, bazuar në pikën 3 të nenit 63 të Kushtetutës ku parashikohet se: “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike” dhe në nenin 21/b të ligjit nr. 8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ku parashikohet se: “Avokati i Popullit paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ, që, sipas tij ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive”,

R E K O M A N D O J M Ë :

1. Marrjen e masave të nevojshme nga DVP Tiranë për fillimin e ecurisë disiplinore ndaj punonjësve të policisë Ernando Cjapi dhe Alban Kulici, efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” për shoqërimin në organin e policisë të shtetasit Bekim Bici në kundërshtim me kriteret ligjore të parashikuara në aktet normative në fuqi të cituara më sipër dhe ligji nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”.

2. Marrjen e masave të nevojshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për fillimin e ecurisë disiplinore ndaj specialistëve të Njësisë Rajonale të Antiterrorit Tiranë, Eduard Prenga dhe Ermal Deliu për mos zbatimin e detyrimit ligjor për përpilimin dhe dhënien e një kopjeje të procesverbalit për veprimet e kryera me personin e shoqëruar, sikurse parashikohet në nenin 109/5 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe në Kreun e VII-të, pika 1, gërma “f” dhe Kreun e VIII-të, pikat a.3.3 dhe a.3.4 të Procedurës standarde të punës.

3. Marrjen e masave të menjëhershme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për përgjithësimin e këtij rasti në strukturat vendore të Policisë së Shtetit me qëllim që shkelje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen dhe për të garantuar besimin e vazhdueshëm të publikut tek ky organ i administratës publike.

Për qëndrimin që do të mbani dhe masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi, të vihemi në dijeni brenda afatit 30 ditor, parashikuar nga neni 22 i ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar.

Duke besuar në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj!