Pushimi nga puna i dr. Ilir Allkja, mjekët në protestë para QSUT

Ashtu siç kishte paralajmëruar sindikata e punonjësve të shëndetësisë, mjekët kanë dalë sot në protestë për shkarkimin e kolegut të tyre, mjekut të Urgjencës Kombëtare Mjekësore Ilir Allkja.

Mjekët janë mbledhur rreth orës 10:00 para Urgjencës për të shprehur indinjatën e tyre për vendimin e QSUT për kolegun Allkja.

Sipas sindikatës, mjekët po punojnë në kushte sfilitëse vetëmohuese. “Në një situatë kur gjithë bota është në krizë për staf mjekësor, Shqipëria, ky vend i vogël me mungesë të personelit shëndetësor ka luksin të pushoj mjek nga puna për arsye politike.

Kush e ndjen që mund t’i bashkohet një proteste në orën 10.00 në Sheshin përpara spitalit 1 Nënë Tereza në kundërshtim të vendimeve të tilla dhe në mbështetje të personelit shëndetësor që po punon në kushte sfilitëse vetëmohuese, është i mirëpritur”, paralajmëroi sindikata e punonjësve të shëndetësisë.

Allkja mori një pezullim nga puna në muajin mars por më pas për shkak të presionit mediatik u rikthye në punë. Gjithsesi ai vijoi denoncimet për kushtet dhe problematikat në sistemin shëndetësor në kushtet e pandemisë së COVID-19.

Mjeku Allkja bëri denoncime të forta, lidhur me trajtimin e pacientëve dhe kushtet jo të përshtatshme, si qëndrimi në ambulancë për orë të tëra. Ai u thirr nga spitali për këtë arsye dhe një javë më pas, ditën e djeshme i është komunikuar me një letër shkarkimi nga puna për shkelje të etikës.

11 12