Hoxhaj vlerëson Bashën për kontributin e madh ndaj Kosovës!  

Kryetari në detyrë i PDK, Enver Hoxhaj është takuar sot në Tiranë me kryetarin e PD, Lulzim Basha për të cilin ka dhënë vlerësimet më të larta për mbështetjen që në vite i ka dhënë Kosovës.

Hoxhaj, pas takimit, u shpreh për gazetarët se, është kënaqësi e veçantë që sot takova kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Basha.

“Çfarë tha Kryetari Basha ishin temat që ne kemi biseduar në këtë takim të përbashkët. Unë e falenderoj zotin Basha për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në të gjitha pozitat që ka pasur deri tani.

Është e vërtetë që kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me zotin Basha edhe në kapacitete e dikurshme si ish-ministra të jashtëm në një kohë kur Kosova nuk ka pasur Ministri të Jashtme dhe unë isha Ministër i Arsimit. E kemi pasur bashkëpunimin e parë në vitin 2008 në Senegal dhe në Dakar, ku kemi bërë përpjekje për të marrë sa më shumë njohje për Kosovën dhe e përmend këtë ngjarje për një arsye se nuk e kisha menduar që në vitin 2020, Kosova e pavarur do ta kishte një vit të vështirë, që krahas pandemisë, krizës ekonomike, Kosova mori dhe një goditje nga Gjykata Speciale dhe kjo ka qenë temë e diskutimit tonë të përbashkët.

Ne mendojmë që faktori politik në Shqipëri duhet t’i japë mbështetje sa më të madhe shokëve tanë në Gjykatë në Hagë dhe i jemi mirënjohës për qëndrimet që kanë mbajtur deri tani, por kërkojmë që edhe në të ardhmen të ketë një konsistencë të tillë meqënëse as Kadri Veseli, as Hashim Thaçi, as Jakup Krasniqi apo Rexhep Selimi, nuk janë si individë në Gjykatë.

Natyrisht që raportet politike në mes të dy shteteve janë vëllazërore. Për ne Shqipëria është një partner strategjik përderisa Kosova është një partner i natyrshëm për Shqipërinë, është një zgjatje e shtetit, është një zgjatje e Shqipërisë historike si identitet dhe si kulturë. Por tani e tutje duhet të mendojmë se cilat duhet të jenë qasjet tona në bashkëpunim në mes të dy vendeve tona.

Së treti, jemi dy shtete me dy kryeqytete, por duhet ta kemi një qëndrim. Një qëndrim në raport me Gjykatën Speciale, një qëndrim në raport me raportet tona bilaterale Kosovë-Shqipëri Dhe një qëndrim në raport me temat të cilat do t’i ketë Kosova ë të ardhmen edhe sa i takon anëtarësimit në NATO edhe sa i takon anëtarësimit në OKB, temës së liberalizimit të vizave ku z.Basha deri tani në të gjitha kapacitetet që ka pas, të gjitha pozitat që ka pas ka qenë një mbështetës i madh i Kosovës. Unë po ndalem këtu. Faleminderit kryetar”, u shpreh Hoxhaj.

1 50

3 28