Dalin pamjet e trafikimit të 322 kg drogë nga Ksamili në Greqi

Kanë dalë pamjet nga aksioni i Policisë greke, për arrestimin e shqiptarit që u kap me një sasi të madhe të lëndëve narkotike, që dyshohet se është ngarkuar në Shqipëri.

Sipas policisë së ishullit të Korfuzit, 60-vjeçari u ndalua në vendin e quajtur Dasia, pasi në bregun e detit gjatë shkarkimit të ngarkesës, iu gjet një sasi prej 322 kg kanabis sativa.

Mësohet se lënda narkotike ishte ngarkuar në brigjet shqiptare të Ksamilit ose Butrintit dhe në bordin e dy jet skive u dërgua në brigjet greke, prej nga ku pritej të transportohej në Athinë.

Ngjarja ndodhi mesnatën e së dielës dhe mediat greke shkruajnë se nuk dihet ende identiteti i zotëruesit të saj. Policia vijon hetimet për 60-vjeçarin, nëse ai i përket një grupi të strukturuar kriminal, pasi një sasi e tillë droge, duket të jetë e pamundur që të posedohet dhe të trafikohet nga një person i vetëm.