Covid-19/ Një grua mbërrin në gjendje të rëndë tek Infektivi (Video)

Prej javës së kaluar numri i rasteve të reja me Covid-19 në vendin tonë mbetet në një shifër të qëndrueshme, me një trend zbritës, ndërkohë që më e qetë paraqitet dhe situata në spitalet Covid.

Sipas Faxnews, ambulancat vijojnë që të sjellin pacientë të sëmurë, në një fazë të avancuar të infeksionit.

Siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme, një grua është dërguar në gjendje të rëndë me barrelë, ndërkohë që prej spitalit Infektiv ka dalë dhe një pacient, i cili i përket institucioneve të vuajtjes së dënimit. Një ambulancë e Policisë dhe një makinë tjetër, e kanë shoqëruar të burgosurin e veshur me kostum të kuq, nga spitali drejt qelisë, ndërkohë që identiteti i tij nuk dihet.

Në spitalin Infektiv ndodhen pjesa më e madhe e pacientëve të diagnostikuar me Covid 19 në Tiranë. Në të katërta spitalet Covid në vendin tonë aktualisht gjenden të shtruar 316 pacientë, 23 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.

Në shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë raportuar rastet e dyshuara, ndërkohë që numrin më të madhe të pacientëve të shtruar vijon që ta mbajë spitali “Shefqet Ndroqi”, i cili pret më së shumti dhe rastet e rënda që dërgohen nga spitalet rajonale.