Batoni është modeli pse ky pushtet do të bjerë

Nga Alban DACI

Krahasimet historike janë delikate dhe kryesisht duhet të bëhen nga historianët. Megjithatë, një qeveri që është në pushtet nuk mund të krahasohet me ata që kanë qenë në pushtet, sepse nëse kjo bëhet, atëherë, kjo është thjeshtë propagandë, për t’i bërë fresk pushtetit.

Megjithatë, nëse do të kuptoni me të vërtetë, se çfarë po ndodh me këtë pushtet, çdo gjë që shkruhet për të duhet ta lexoni si arabët, mbrapsht.
Pra, nëse servilët dhe shërbëtorët shkruajnë, se Rama do të fitoi një mandat të tretë, e vërteta është se Rama do i humbë zgjedhjet.

Nëse ju lexoni, se kanë shkruar se Rama është Kryeministri më i mirë i histori, e vërteta është se ky i fundit është aq shumë në siklet, sa nuk e gjen fare veten në histori.

Nëse lexoni, se sondazhet e bëra tregojnë se zgjedhjet i fiton Rama, e vërteta është se, sipas sondazheve reale, ai nuk i fiton zgjedhjet dhe ka akthin e humbjes.

Nëse ju lexoni, se sipas Batonit, Basha mund të vijë në pushtet vetëm me Ramën, në fakt, ju duhet të besoni, se Rama po kërkon mëshirë të shpëtohet nga Basha, ose të amnistohet nga ky i fundit.

Nuk kam parë asnjë vend të botës demokratike, ku ata që e konsiderojnë veten intelektualë t’i shërbejnë kaq hapur pushtetit. Në asnjë demokraci perëndimore kjo nuk ndodh, por vetëm në Shqipëri.

Intelektualët janë gjithmonë në opozitë me çdo pushtet, sepse ky i fundit, duke poseduar çdo gjë, nuk ka nevojë për mbështetje, por, sigurisht, ka nevojë për kritika që të frenohet e të mos dalë nga binarët, për të mos rrëshqitur në autoritarizëm apo në diktaturë.

Megjithatë, fajin është edhe i yni, sepse në 30 vjet ju kemi dhënë mundësinë të kenë monopolin e fjalës së lirë, duke pasur mundësinë për ta manipuluar po në emër të lirisë.

Fakti, se për 30 vjet kemi vetëm këto figura dhe për 30 vjet nuk kemi nxjerrë të tjerë, dëshmon qartë se sa polare është shoqëria jonë, që vazhdon të funksionoi mbi bazën e unit dhe në shërbim të unit.

Situata jonë sociale është në momentet më kritike ndoshta që nga vitet 90 e deri më sot, sepse sot nuk kemi liri e po ashtu kemi shumë pak kurajë, për të luftuar për të. Jemi manipuluar e manipulohemi aq shumë, çdo ditë, sa kemi iluzionin, se liria e ofruar na mjafton në limitet e saj e për pasojë nëse luftojmë për të pasur një liri pa limite, po kërkojmë gjëra më shumë se nevojat tona. Aq shumë jemi nënshtruar nga pushteti sa na është krijuar bindja e besimi, se pushteti dhe liria janë e njëjta gjë.

Pra, pushteti na e jep lirinë e po ashtu pushteti mund të na e heq lirinë e ne nuk mërzitemi, sepse lirinë nuk e konsiderojmë një të drejtën tonë, pronë tonën, por një të drejtë të pushtetit e pronë të këtij të fundit, që nuk e shpronëson asnjëherë, por herë pas here na e jep me qira, në forma të limituara, sa për të na krijuar iluzionin sikur e kemi tonën.

Batoni e shokët e tij janë shembulli sa të limituar jemi, sa të manipuluar jemi e po në të njëjtën kohë sa të nënshtruar jemi bërë. Jemi kthyer në një shoqëri, ku me pasivitetin tonë, për të marrë pjesë aktivisht në procese sociale, kemi krijuar modele apo steriotipe, që jo vetëm nuk kanë lidhje me ne, por, në fakt, janë kthyer pengesat kryesore për përparimin tonë social, si në terma pushteti apo edhe në terma e modele të organizimit dhe zhvillimit social.

Megjithatë, kam besimin se falë këtyre, ky pushtet, do të bjerë, sepse e kanë shkëputur dhe e kanë larguar aq shumë nga realiteti sa ngjanë me situatën e elitës se regjimit në vitet ’90, që kishin mbi 20 vjet që nuk e dinin se fshatari nuk kishte as pulën e as vezën. Servilizmi i tyre po ndihmon që pushteti të shkërmoqet nga brenda dhe të bjerë në momentin që beson, se ka arritur majën.