Baton Haxhiu nuk i përket as Prishtinës, as Tiranës, por veçse Edi Ramës!

Nga Elona CASLLI

Baton Haxhiu, lëvdatthurësi i pandreqshëm i Edi Ramës

Baton Haxhiu, i kam ndjekur shpesh qëndrimet tuaja kohët e fundit. Në të vërtetë, jeni lehtësisht i ngatërrueshëm me Elisa Spiropalin në qëndrimet që mbani.

Nëse do të krijohej një “Hit Parade” rilindas, lidhur me lëvdatthurësin më të mirë për Edi Ramën, jam krejt e bindur se ju dhe Spiropali do të zinit vendin e parë.

Ju e mbroni Edi Ramën më shumë se ç’mund ta mbrojë ai veten e tij. Duket sikur doni t’i thoni Ramës, se ai nuk di ta dojë dhe ta vlerësojë siç duhet veten e tij dhe ju merrni si mision t’i shlyeni publikisht dashurinë dhe vlerësimin që ai është i paaftë t’ia japë vetes.
Në 2020 ta trajtosh Edi Ramën si gjeni të zbritur mbi tokën e shqiptarëve, duhet të jesh armik i shqiptarëve.

Pohuat se Edi Rama është rrëfimtari dhe kryeministri më i mirë i të gjithë kohërave.

Baton Haxhiu qeverisja e një vendi nuk është rrëfim. Është përgjegjësi.

Nëse imagjinatën e shfrenuar të Edi Ramës ju e quani dhunti rrëfimi, atëherë kemi të bëjmë me çështje terminologjie.

Nëse tjetërsimin e zyrës së kryeministrisë në hapësirë personale të Edi Ramës, e quani dimension të zhvilluar estetik, atëherë kemi të bëjmë me një njeri që nuk ka minimumin e shprehisë institucionale në formimin e tij.

Nëse shembjen e Teatrit Kombëtar nuk e quani akt barbar të kryeministrit në detyrë, atëherë kemi të bëjmë me mentalitetin primitiv që zhvillohet në shpella.

Nëse vjedhjen e votave e quani proces normal nën alibinë që ky proces nuk ndikon në rezultatin përfundimtar, do të thotë se certifikoni me vullnet dhe me vetëdije të plotë deformimin e vullnetit politik të shqiptarëve.

Nëse presionet dhe kërcënimet për votën në zona të ndryshme të Shqipërisë, i përligjni me faktin se politika ka cubat e saj, atëherë miratoni edhe bandën e kriminelëve në parlament pranë Edi Ramës.

Ka aq shumë “nëse” për ju Baton Haxhiu, sa nuk do të mjaftonte një natë dimri për t’i rrëfyer.

Post Scriptum- Baton Haxhiu, ju nuk i përkisni as Prishtinës dhe as Tiranës. Ju i përkisni veçse Edi Ramës.