Filoserbi i diskredituar i Tiranës

Nga Bujar Nishani

“Nuk fitohet lufta me Serbinë duke ardhur në Tiranë dhe duke rrotulluar thikën e nacional-folkorizmit vulgar“, është shprehur filoserbi i Tiranës në media, duke sulmuar dhe stigmatizuar përsëri Presidenten në detyrë të Republikës së Kosovës.

Në fakt ky është folku nacionalist vulgar i filoserbit të diskretituar të Tiranës, duke synuar të veshë imazhin e Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi me atë të agresivit, luftëdashësit, të dhunshmit !

Kosova dhe shqiptarët në tërësi nuk janë në luftë me Serbinë.

As e dëshirojmë dhe as nuk ju duhet lufta me askënd.

Përkundrazi, paqja, stabiliteti dhe mirkuptimi janë interesat më të mëdha të shqiptarëve dhe rajonit tonë në tërësi !

Kosova dhe shqiptarët duan drejtësi!

Kjo nis duke instaluar dhe kuruar respektin reciprok, së pari !

Të diferencosh në sjellje institucionale dhe shtetërore, duke fyer Kosovën në raport me Serbinë, është injorimi i respektit reciprok dhe minim i drejtësisë!

Kjo është skandaloze kur vjen nga Qeveria e Shqipërisë.

Të tentosh të kurosh keq krimet e pagjykuara, plagët e pambyllura, faljen e pakërkuar, ndjesën e pandjerë, të Serbisë ndaj Kosovës, është fyerje e drejtësisë!

Të paraqesësh shqiptarët me dy modele, dy kultura, dy forma, ku të vërtetën, civilizimin, zgjidhjen e “përfaqëson” Shqipëria dhe Kosova i takon “klasit të dytë”, është shërbesë ndaj albanofobisë !

Të trajtosh publikisht përfaqësuesit më të lartë të Shtetit të Kosovës (Kryeministrin) si keqbërës ordiner, që i takon politikës penale, kjo është “thikë pas shpine” për Kosovën !

Të bëhesh vegël e rilindjes së fantazmës së “Jugosllavisë së Re”, duke injoruar integrimin evropian të shqiptarëve, është tradhëti e lartë !

Të gjitha këto bëma nuk kanë ardhur nga Kosova dhe as prej politikanëve të Kosovës, por kanë emër të qartë !

Kjo tradhëti nuk mbulohet dot sot me folkun nacionalist të luftës me Serbinë.

Jo, Kosova dhe shqiptarët nuk janë në luftë me Serbinë dhe as nuk ju intereson lufta me askënd.

Shqiptarët e fituan luftën me Serbinë !

Kosova dhe shqiptarët duan drejtësinë sot !

Drejtësia nuk është luftë por fondament !