Miratohet propozimi i opozitës: Ramës i ndalohen PPP-të dhe koncesionet 4 muaj para zgjedhjeve

Komisioni Rregullator ka miratuar ditën e sotme propozimin e opozitës për të ndaluar Ramën të jape PPP dhe koncensione 4 muaj para zgjedhjeve.

Vetëm disa ditë më parë KQZ i ndaloi Ramës dhe klientelës së tij ministrore: Prerjen e shiritëve, prezantimin e projekteve, dhurimin e çelësave të shtëpive dhe shpërndarjen e lejeve të legalizimeve pas datës 25 dhjetor.

Sipas një dokumenti të përgatitur nga KQZ, këto aktivitete konsiderohen si një abuzim i partisë në pushtet me burimet shtetërore në funksion të zgjedhjeve.

Kufizimi i qeverisë 4 muaj përpara zgjedhjeve u vendos në Kodin Zgjedhor gjatë negociatave në Këshillin Politik.

Në zbatim të tij, KQZ ka shkruar këto specifikime, ku tregon zyrtarët e lartë të cilëve iu lejohen disa aktivitete.

Lista përfshin: Kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat, kryetarët dhe nënkryetarët e bashkive, drejtorët e përgjithshëm të agjencive, apo shoqërive si: OSHEE, Ujësjellës, Posta, etj.

Këta zyrtarë ndalohet të organizojnë apo të marrin pjesë në aktivitete ku priten shirita elektoralë apo prezantohen projekte të investimeve në fushën e transporteve, energjisë, mjedisit, shëndetësisë, kulturës dhe arsimit.

Gjithashtu ndalohet të reklamohen objekte të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore, sic mund të jenë shtëpitë apo shkollat e ringritura pas tërmetit.

Ndalohet po ashtu shpërndarja në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, një sport i preferuar i të gjithë politikanëve.

Qeverisë i ndalohet të marrë vendime për rritjen e pagave, pensioneve, mbe?shtetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, të dhëna që mund të joshin elektoratin.

Qeveria do të vazhdojë të funksionojë, por për çdo aktivitet, çdo institucion duhet të njoftojë KQZ-në 5 ditë përpara.

Nëse Celibashi do t’i vlerësojë si të ndaluara, ato duhet të anulohen dhe nuk lejohet transmetimi i tyre në media.

Në dokumentin e hartuar nga zyra e Ilirjan Celibashit, ka penalitete për zyrtarët, partitë dhe kandidatët që nuk i zbatojnë këto rregulla, gjoba të cilat shkojnë nga 10 000 – 500 000 lekë të reja.

Por që ky dokument të zbatohet, duhet që të miratohet në Komisionin Rregullator në KQZ, aty ku partia në pushtet ka shumicën e anëtarëve. ABC ka mësuar paraprakisht, se Partia Socialiste kundërshton pjesën më të madhe të këtyre kufizimeve dhe do të kërkojë në KQZ tërheqjen e tyre.

Zyrtarët që do ju ndalohen aktivitetet

Kryeministri

Zëvendëskryeministri

Ministrat

Zëvendësministrat

Kryetarët e bashkive

Zv.kryebashkiakët

Drejtorët e përgjithshëm të agjencive

Drejtorët e sh.a (OSHEE, Ujësjellësat, Posta, etj)

Aktivitetet që do ndalohen

promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve në transporte, energji, mjedis, shëndetësi, kulturës dhe arsim;

promovimin e objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore;

shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve;

rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve.

Gjobat për shkelësin

Kush nuk raporton aktivitetet në KQZ

10 000- 50 000 lekë

Titullarët që pengojnë raportimin

10 000- 50 000 lekë

Partitë/kandidatët që përsërisin shkeljen

100 000 – 500 000 lekë