Basha: Mjekët nuk duan të ikin nga Shqipëria, por kolapsi i shëndetësisë po i përzë nga vendi i tyre

Nga Lulzim BASHA

Gjatë një takimi me mjekë të ardhshëm, kuptohet qartë se ata nuk duan të ikin nga Shqipëria, por kolapsi i shëndetësisë po i përzë nga vendi i tyre. Më treguan për problematikat e tyre: që nga mungesa e laboratorëve, kushtet e papërshtatshme për të kryer mësimin, pasi nuk është marrë asnjë masë për mësimin online, tarifat e larta që duhet të paguajnë jo vetëm gjatë shkollës, por edhe gjatë specializimit, edhe pse ata punojnë nga 8 orë.

Shëndetësia është shembulli më i dukshëm i 7 viteve dështim dhe premtimesh të rreme. Edi Rama ua ka dhuruar buxhetin e shëndetësisë oligarkëve rreth tij. Spitalet janë kolapsuar, mjekët nuk paguhen dhe zgjedhin të ikin nga vendi, ilaçet janë të shtrenjta e të pasigurta.

Pandemia e tregoi edhe më qartë dëmin e pariparueshëm që Rama i ka bërë sistemit shëndetësor. Premtimi për shëndetësi falas, rezultoi një mashtrim. Shqipëria jep për shëndetësinë më pak se çdo vend i Europës. Numri i mjekëve për banorë është më i ulëti në kontinent.

Gjëja e fundit që i intereson Edi Ramës, janë qytetarët shqiptarë dhe shëndeti i tyre. Thirrjeve që i kemi bërë, planeve që i kemi ofruar, u është përgjigjur me arrogancë, sepse jeta e shqiptarëve nuk është prioritet për të. Teston më pak se çdo vend i Ballkanit. Mjekët i ka lënë në mëshirë të COVID-19, pa pajisje mbrojtëse. Si pasojë kemi humbur shumë jetë mjekësh. Të sëmurët i ka braktisur, pa ilaçe dhe pa ndihmë financiare.

Spitalet i ka mbingarkuar, mungon personeli mjekësor dhe të sëmurët janë detyruar të presin në ambulanca me orë të tëra. Kemi humbur shumë jetë qytetarësh. Zgjidhja që Edi Rama ofron është të fshehë numrin e fataliteteve, të fshehë të vertetën.

Mjaft është mjaft! Është koha për ndryshim! Pas 7 vitesh dështimesh, ajo që Edi Rama mund të ofrojë është më shumë dështim, më shumë rrënim. Është koha për ta ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë një vend të denjë europian.

Ne do ta shpëtojmë shëndetësinë nga kthetrat e PPP-ve korruptive. Paratë e taksave do të shndërrohen në shërbim shëndetësor modern për qytetarët. Objektivi ynë është që pagat e mjekëve të arrijnë 1200 euro dhe pagat e infermierëve 700 euro brenda mandatit të parë.
Ne do ta financojmë shëndetësinë në të gjithë hallkat e saj, duke filluar me shkollimin dhe kualifikimin e mjekëve e deri tek shërbimi i specializuar në pavione. Partia Demokratike bashkë me qytetarët do të sjellë ndryshim, shpresë dhe mundësi për çdo shqiptar.

1 37

2 33

7f59b378 ae74 4d5a 9d0b 4daede872713 676x450 1

132541007 752327218994949 1