Mediat belge: Safet Bajri ishte dënuar disa herë në Belgjikë, por në Shqipëri u dënua vetëm me 2.5 vite burg

Lajmi se dosja e bujshme për bandën e Bajrëve është shfryrë plotësisht në Shqipëri nuk ka kaluar pa vëmendje edhe në Belgjikë, ku Safet Bajri, i njohur edhe si Safet Rustemi, është një emër i njohur i krimit.

Gazeta “De Morgen” e Belgjikës shkruan se, Safet Rustemi u dënua me vetëm 2.5 vite burg.

“Safet Rustemi bëri mjaft bujë në vitin 2018 si në Belgjikë, ashtu edhe në atdheun e tij, në Shqipëri. Rustemi ishte dënuar disa herë në Belgjikë dhe kërkohej nga vendi ynë për këto dënime. Në korrik të atij viti u ndez një debati pasi policia belge e kishte vendosur Rustemin në listën e më të kërkuarve, ndërsa Departamenti i Emigracionit e kishte dëbuar atë një vit më parë.

Ai u arrestua përfundimisht në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në fund të shtator. Por sipas qeverisë shqiptare, Safet Bajri mund të arrestohej më herët nëse Belgjika nuk do të vononte në dorëzimin e vendimit të gjykatësit belg.

Kështu që tani më në fund është dënuar me 2.5 vite burg. Sipas medieve shqiptare, ai ishte në gjyq me disa miq të tij për fiksim ndeshjesh, organizim lotarish sportive dhe armbëmbajtje”.