Basha takim me të rinj që kanë studiuar jashtë: Largimi i pushtetit të dështuar, urgjencë kombëtare!

Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë një takimi me të rinj që kanë studiuar jashtë vendit tha se, synimi kryesor i tij është ndryshimi t’i japim fytyrën e rinisë shqiptare.

Basha tha se, bashkë me të rinjtë është i vendosur për të ndryshuar Shqipërinë, ndërsa theksoi se asgjë nuk na mungon, për t´a realizuar këtë ndryshim.

Kreu i opozitës u shpreh se, i takon Qeverisë që të japë shembujt dhe impulset pozitive ndaj shqiptarëve.

“Kjo qeveri ka 7 vjet që merr vendime kundër interesave të shqiptarëve. Mjaft më, ka ardhur koha që shqiptarët të reagojnë. Qeveria e ardhshme duhet të sigurojë normalitetin europian, duhet të sigurojë një ekonomi reale dhe funksionale. Kemi potenciale të jashtëzakonshme natyrore, kemi numrin më të madh të arsimuarve, kemi një numër të madh potencialesh të arsimuara në perëndim”, tha Basha.

Basha tha më tej se, më 25 prill me çdo kusht duhet të largojmë këtë regjim.

“Ne duhet ta bëjmë rregull që asnjë të mos ketë më të drejtën për të kërkuar një mandat të tretë”, tha Basha.

Ai shtoi se thelbi i ekonomisë së tregut është konkurrenca dhe problemi kryesor i ekonomisë, monopolizimi.

“Pa konkurrencë nuk mund të ketë rritje ekonomike. Ata që duhet të garantojnë konkurrencën, e kanë vrarë atë.

Sistemi ekonomik duhet rindërtuar. Ndaj objektivi i parë i planit tonë ekonomik, rikthimi i konkurrencës.

Objektivi i dytë, kthimi i Shqipërisë në një vend konkurrues në rajon”, tha Basha.

Sipas tij, nuk mund të ketë ndryshim, pa larguar më parë këtë regjim, që varfëroi dhe vodhi shqiptarët.

Studenti: Ka ardhur momenti që qytetarëve t’u jepet e drejta për të qenë pjesë e vendimmarrjes

“Ajo që më shqetëson mua sot pas të gjitha këtyre që kanë ndodhur, nuk është vetëm kjo arrogancë sistematike që qeveria tregon, por kjo arrogancë sistematike është duke riformatuar një shoqëri indiferente, një shoqëri ose një qytetari, një qytetar i cili ka humbur besimin se vota realisht mund të ndryshojë diçka, tha Julian Beqiri, student arkitekture në Holandë.

Jemi në pikën kur në një protestë të fundit që u mbajt për disa ditë më parë këtu në Tiranë, ne shikojmë që ajo shtresë shoqërore që mori pjesë në protestë janë adoleshentë dhe të rinj, sepse për mendimin tim janë pikërisht këta që nuk janë përballur akoma me arrogancën e vendit, me arrogancën e qeverisë.

Janë këta që janë akoma me ide infantile, ide të thjeshta, ide të bukura, të pastra, të qarta sepse prindërit e tyre, apo dhe ata në moshën time e më të vjetër se unë, në njëfarë mënyrë e kanë thyer hundën në përballjen me qeverinë. Unë mendoj që ka ardhur momenti që e para njëherë, kjo arrogancë duhet të marrë fund nga çfarëdo force politike që të vijë në pushtet dhe ka ardhur momenti që qytetarëve t’u jepet e drejta për të qenë pjesë e vendimmarrjes”, u shpreh studenti.

auto Screenshot 11608724266