Kaso: Mazhoranca ka ndryshuar 7 ligje dhe ka hequr garancitë e ODIHR për zgjedhje të lira

Sekretari për Zgjedhjet në Partinë Demokratike, Ivi Kaso tha për Euronews Albania se me ndryshimet e njëanshme që mazhoraca po u bën 7 ligjeve që shoqërojnë ndryshimet ligjore për të cilat siç tha, në këshillin politik ishte dakordësuar të mos prekeshin me forcën e kartonit, ka hequr garancitë që respektonin standardet e ODIHR.

Teksa rikujtoi se palët u angazhuan me shkrim që të mos i ndryshonin këto ligje, përfshirë ndryshimet në kodin penal apo ligji për policinë e shtetit, z. Kaso theksoi se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është minimumi që mund të bënte mazhoranca ‘për të treguar se ka disa rregulla të cilat duhen zbatuar përpara se të hyjë në procesin zgjedhor’.

“Bashkë me ndryshimet ligjore janë edhe 7 ligje për të cilat palët kanë rënë dakord që të mos përdorin forcën e kartonit për t’i ndryshuar, që përfshijnë ndryshimet në kodin penal, garanci shtesë për mbrojtjen e dëshmitarëve, ‘bilbilfryrësve’ që për herë të parë do të përdoren në këto zgjedhje, ndryshime për ligji e policisë.

Këto ishin garanci shtesë të vëna nga ODIHR për t’u plotësuar nga politika shqiptare para zgjedhjeve të radhës. Palët u angazhuan me shkrim që të mos i ndryshojnë. Mazhoranca ka futur duart në të 7 ligjet, duke hequr garancitë që respektonin standardet e ODIHR”, tha z. Kaso.

Teksa iu referua mbylljes nga SPAK të dosjes 184 për zgjedhjet lokale më Dibër, z. Kaso e cilësoi të etalimi i dështimit të të gjithë sistemit të drejtësisë përballë krimit zgjedhor.

“Do të kishte qenë në nderin e institucione të reja të drejtësisë që ky krim i tmerrshëm zgjedhor të kishte qenë guri i provës për sistemin e ri të drejtësisë”, tha eksperti i PD, teksa shtoi se në zgjedhjet e ardhme, garancia e vetme është vullneti i opozitës që të bëjë të pamundur ‘duke u mobilizuar në terren në çdo qendër votimi që vota të shkojë atje ku është nisur’.