Banda e Belgjikës na tregoi përse Edi Ramës i duhet Ardi Veliu si ajri që thith

Nga Enkel DEMI

Ai tha edhe 500 mijë po të dalin në shesh Ardi Veliun nuk e heq. Dukej çudi që 500 vetë hoqën Sandër Lleshajn, por 500 mijë nuk e lëvizin drejtorin e policisë.

Operacioni ndërkombëtar për shkatërrimin e një bande që merrej me trafikun e drogës në Belgjikë na jep përgjigjen e këtij ngulmimi që ka kryeministri për të mbajtur fuqiplotë Ardi Veliun. Sipas Emiliano Nuhut, ish-oficerit të infiltruar, drejtori i tij i policisë ka qenë në dijeni të punëve të kësaj bande që dy vjet e gjysëm më parë. Në dijeni ka qenë dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa. Këta, jo vetëm që nuk e luajtën gishtin, por oficeri që vuri kokën në rrezik dhe raportoi u përzu dhe është i detyruar të jetojë në ekzil.

Gjatë këtyre dy vjet e gjysëm grupet kriminale kanë bërë emërimet e drejtuesëve të policisë, kurse paratë i kanë përdorur dhe do i përdorin për mbajtur në pushtet klikën kriminale të Edi Ramës. Të gjitha mjetet, jo vetëm financiare të krimit, Rilindja do i përdorë më 25 prill, në mënyrë që regjimi të qëndrojë në pushtet.

Ardi Veliu në këtë panoramë është Thembra e Akilit. Ai nuk ka si të largohet, sepse është kusia që mban brenda gjithë këtë çorbë. Nëse ai shkon dhe çelet kapaku i kusisë ajo që do të dalë jashtë ka për të përvëluar vetë shefin e qeverisë, sepse Taulant Balla në këtë rast do t’i ngjante një cironke.

Prandaj, kur ai thoshte që edhe 500 mijë po të dalin në shesh Ardi Veliun nuk e heq, ne duhet ta kuptojmë që ka thënë se edhe 500 mijë po të dalin në shesh veten time nuk e heq.

Të dy këta njerëz tashmë janë të lidhur në një simbiozë, e cila i bën fatet e tyre të pashqitshme. Prandaj, është e pakuptimtë të kërkosh dorëheqjen e Ardi Veliut, veçanërisht për dhunën në protesta. Kjo histori trafiku, këta banditë, na tregojnë se është qelbur koka, prandaj ajo duhet prerë.

Kështu, qëndrimi në pushtet për Edi Ramën është me “jetë a vdekje”. Ai larg karrikes së kryeministrit është krejt i pambrojtur, pa imunitet dhe puhiza më e lehtë e ftoh në të dy anët. Ai ka nevojë për pushtetin, po aq sa një i sëmurë rëndë me COVID për bombulën e oksigjenit. Është një njeri që ka një jetë që vuan nga astma dhe e di fort mirë ç’do të të thotë mos të ngopesh me frymë.