BBC: Sonte rishfaqet “ylli i Betlehemit” i njëjti fenomen si në Lindjen e Jezu Krishtit

Jupiteri dhe Saturni pritet të ndërthurin rrugët e tyre në qiellin e natës, duke u shfaqur si një planet i dyfishtë. Fenomeni i rrallë pritet të jetë më i dukshëm sonte, raporton BBC.

Pikërisht ky ‘bashkim’ planetësh ka bërë që disa të sugjerojnë se ai ka qenë burimi i dritës së shndritshme që u shfaq në qiell 2 mijë vjet më parë. Ai njihet si Ylli i Betlehemit.

Planetet po lëvizin gjithmonë e më pranë njëri-tjetrit dhe pika më e afërt e tyre do jetë më 21 dhjetor.

Ata që janë të apasionuar pas qiellit dhe yjeve mezi e kanë pritur këtë moment.

Por përveç astronomëve, të entuziazmuar janë edhe teologët.

Sipas profesorit Eric M Vanden Eykel, ky është momenti kur do të shihet edhe Ylli i Krishtlindjes, e njëjta ngjarje astronomike biblike që u vu re në lindjen e Krishtit.

Ky nuk është vetëm një spekulim festiv. Teoria se ndërthurja e Jupiterit me Saturnin mund të jetë ‘Ylli i Mrekullisë’ është propozuar që në shekullin e 17-të nga astronomi dhe matematikani gjerman Johannes Kepler.

Ndërthurjet e planetëve janë diçka e bukur. Ky fenomen ndodh shpesh. Por takimi mes dy planetëve, më të madhit në sistemit tonë diellor dhe një objekti kaq të shndritshëm, ndodh njëherë në 800 vite.