Aleancë me Rusinë? Pyesni Armeninë për rezultatet

Nga Florion Metohu

Ajo që quhet lufta e dytë e Nagorno-Karabakut (27 shtator – 9 nëntor, 2020) përfundoi me një armpushim triumfues kombëtar për Azerbajxhanin dhe në një turpërim traumatik për Armeninë. Përdorimi i suksesshëm nga Azerbajxhani i dronëve provoi një superioritet taktik, megjithëse ai vërtetoi gjerësisht mësimet mbi efektin shkatërrues që mund të ketë fuqia ajrore ndaj një forcë të madhe tokësore me mbrojtje ajrore relativisht të dobët. Përdorimi i sistemeve të avionëve pa pilot në këtë konflikt shënon një evolucion më shumë sesa një revolucion në aplikimet e fuqisë ajrore.

Në radhë të parë kjo luftë ka formalizuar me sukses partneritetin strategjik Turko-Azere. Ndonëse e rrënjosur në solidaritetin historik turk, Azerbajxhani e bëri këtë partneritet strategjik materialisht të mundur duke u shndërruar në një partner kryesor, me rëndësi të madhe për Turqinë.
Naftësjellësi Baku – Tbilisi – Ceyhan; Gazsjellësi Baku – Erzurum dhe Trans-Anatolia; hekurudha Baku – Tbilisi – Kars dhe kompleksi i rafinimit të naftës Star e kanë kthyer Azerbajxhanin në investitorin më të madh në Turqi dhe kanë kontribuar në qëllimin kombëtar të Turqisë për t’u bërë një vend kryesor i tranzitit të energjisë. Këtë vit, për më tepër, Azerbajxhani u bë furnizuesi më i madh i drejtpërdrejtë i Turqisë i gazit natyror, duke tejkaluar Rusinë në atë rol. E gjithë kjo përkthehet në një interes jetik kombëtar turk për të mbështetur sigurinë dhe suksesin e Azerbajxhanit. Armatimet dhe këshillat ushtarake turke ishin çelësi për fitoren e Azerbajxhanit në këtë luftë.

Por më me shumë interes në këtë konflikt është analizimi i veprimeve/mosveprimeve të Rusisë. Edhe pse Moska mundohet të mbajë raporte të mira me të dyja shtetet ne konflikt, ajo kishte një traktat aleance ushtarake me Armeninë.

Ishte vet Putin që pas një bisede me të dy liderët e këtyre vendeve, në 7 tetor, nxitoi të deklaronte se Traktati për Sigurinë Kolektive, i firmosur në vitin 2002 dhe ku bëjnë pjesë si Rusia ashtu dhe Armenia, nuk e dëtyron Moskën të mbrojë Armeninë, për sa kohë luftimet zhvilloheshin në rajonin e Nagorno-Karabakut.

Shumë analistë ndërkombëtar por dhe e gjithë popullsia dhe establishmenti armen e interpretuan si një tradhti nga ana e Rusisë dhe një aprovim për operacionet ushtarake të Azerbajxhanit. Rusia nuk veproi as kur një helikopter ushtarak i saj u rrëzua nga Azerbajxhani (edhe pse u deklarua se ishte nje gabim).
Rusët u futën në lojë në fund dhe tentuan të pretendonin se ishin ata paqeruajtësit; ata ndërmorën veprime si gjithnjë të njëanshme dhe dukej sikur kishin synuar ose sikur përdorën këtë mundësi të vendosnin forcat e tyre ushtarake edhe në territorin e Azerbajxhanit si edhe të shfrytëzonin mundësinë për të ngrirë një konflikt tjetër më shumë sesa të mbështesnin Armeninë.

Sipas analistëve të ndryshëm, veprimet e Moskës kishin dhë një qëllim tjetër përveç atij uahtarako-gjeopolitk. Krizat e njëpasnjëshme në Bjellorusi, Azinë Qendrore dhe rajonin e Kaukazit, atë që e quan oborrin e pasëm të saj (zonë influence) e kanë kapur Kremlinin në befasi, duke minuar imazhin e Presidentit Vladimir V. Putin si një takticien i zoti në skenën botërore.
Kjo situate e paqëndrueshme në “zonën e saj të influencës” duket se e ka shtyrë Kremlinin të bëj Armeninë shëmbull për të gjithë të tjerët që devijojnë nga alineimi me interesat e Moskës.

Rusia vendosi ti jepte një mësim Armenisë dhe kryeministrit Nikol Pashinyan i cili erdhi në pushtet në 2018, pas atij që u quajt dhe “velvet revolution”, duke hequr nga institucionet shtetërore shumë drejtues pro rusë dhe orientoi politikën armene më shumë pro perëndimore. Armenia është përfshirë nga protestat dhe, ashtu si ka ndodhur në rastet e tjera, Rusia po përdor situatën kaotike që ka përfshirë vendin pas disfatës ushtarake për të avancuar interesat e saj stretegjike duke rrezuar liderin pro perëndimor armen.

Sipas analistit Michael Rubin, ashtu si ndodhi me revolucionin e trendafilave ne Gjeorgji, pas të cilave ajo humbi Abkazinë dhe Osetinë jugore si dhe me revolucionin e portokallinjte dhe të sheshit Maiden në Ukrainë, pas të cilave ajo humbi Krimenë, Moska donte ti tregonte Armenisë dhe të gjithëve atyre në zonën e saj të influencës që flirtojnë me Perëndimin se: “Revolucionet demokratike mund të sjellin liri politike afatshkurtër, por ato gjithashtu çojnë në humbje territoriale dhe në erozion të sovranitetit.”

Këtë leksion dhe objektiv të Kremlinit e shprehu qartë analisti ushtarak rus Igor Korotcheko në një intervistë në TV shtetërore ruse kur deklaroi se:” Ja çfarë ndodh kur një opozitar jo pjesë i sistemit i mbështetur nga perëndimorët fiton pushtetin. Një revolucion me ngjyra kurrë nuk sjell përfitime, askund, në asnjë vend. Revolucionet me ngjyra çojnë në kolapsin e shtetit. Dhe ky është një mësim për të gjitha territoret post-Sovjetike”.

Ai shtoi se “gjithçka do të shkojë mirë për fqinjët që mbajnë marrëdhënie të ngushta politike dhe ushtarake me Moskën, jo me Perëndimin”.
Rasti i Armenisë duhet të shërbejë si një zile alarmi për të gjithë ata lider të Ballkanit Perëndimor që sa herë ngecin në proçesin e reformave për integrimin Europian i bëjnë presion BE-së duke i kujtuar alternativat e orientimit të politikave të tyre drejt Moskës apo shteteve të tjera autoritare.

Nuk mund të ketë një sistem aleance me shtete të tilla sepse sistemet autoritare pranojnë vetëm raportin e padronit dhe të nënshtruarit. Veprimet e Kremlinit gjatë konfliktit Azero-Armen treguan edhe njëherë se presidenti rus Putin është i gatshëm të sakrifikojë çdo mik dhe aleat për qëllimet e tija trategjike.