Këlliçi-Ramës: Po tani që të vërtetën për kanabizimin e vendit e thotë OKB-ja, akuza politike janë?

Belind Këlliçi, kryetar i FRPD, ka reaguar mbi raportin e OKB-së, në të cilin theksohet se Shqipëria është vendi kryesor në Europë i origjinës së kanabisit dhe se grupet kriminale nuk dënohen.

Përmes një postimi në rrjetin social, Këlliçi shkruan se pas aksionit policor në Lazarat në vitin 2016, pati një boojm kultivimesh të kanabisit në të gjithë Shqipërinë.

Sipas Këlliçit, qeverisë nuk i nxihet faqja, ndërsa ngre pyetjen nëse kryeministri Edi Rama do e padisë OKB për shpifje.

Postimi i Këlliçit

Po tani që të vërtetën për kanabizimin e vendit e thotë OKB-ja, akuza politike janë?

Raporti i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin shprehet se Shqipëria është burimi kryesor i kanabisit në Europë. Gjatë viteve 2014-2018, vendi kryesor i origjinës së kanabisit në Europën Perëndimore dhe atë Juglindore ishte Shqipëria.

61% e kanabisit të kapur në Europë vjen nga Shqipëria!

Në vitin 2016, 2 vjet pas aksionit policor në Lazarat, pati një boom të kultivimit masiv të kanabisit në Shqipëri.

Në vitin 2017, 100% e kanabisit në Malin e Zi, 70% e kanabisit në Bosnjë dhe Hercegovinë, 50% e kanabisit në Hungari dhe 50% e kanabisit në Austri, vinte nga Shqipëria. Po këtë vit në Shqipëri kapet sasia më e madhe e kanabisit në Europë.

Në vitin 2018, 90% e kanabisit në Kroaci, 70% e kanabisit në Maqedoni dhe 61% e kanabisit në Greqi, vinte nga Shqipëria.

Në vitin 2020, Task Forca e Veprimit Financiar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (FATF) përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri.

“Lista gri” përfshin regjimet me kornizën më të keqe ligjore dhe agjencitë për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit.

Qeverisë nuk i nxihet faqja, shqiptarëve po! Se e provojnë në kurrizin e tyre kur kalojnë kufirin, kur shkojnë jashtë shtetit, kur zgjasin dorën për të dorëzuar pasaportën.

Po na bëjnë me gisht për një grusht horrash!

Në raportin e OKB-së thuhet se grupet kriminale nuk dënohen por ndihmohen nga korrupsioni.

Po tani si do mbrohet kryeministri që avionët me mall i duken mushkonja? Do e padisë OKB-në për shpifje?