Reagon artisti i dhunuar barbarisht nga policia: Eshtë fundi i këtij regjimi, prandaj janë bërë agresivë

Donald Martini, pedagog, koreograf dhe Aktivist i Aleancës për mbrojtjen e Teatrit në një intervistë për MAPO, thotë se është keqtrajtuar në komisariatin e policisë, madje një prej policëve e ka goditur me shkelma në fytyrë. Martini shprehet se ende nuk e di arsyen e shoqërimit, aq më pak arsyen e dhunës të ushtruar mbi aktivistët e teatrit. Në momentin e shoqërimit ai ka qenë duke filmuar, tërheqjen zvarrë sipas tij të një aktivisti tjetër, Astrit Seranaj në afërsi të pedonales.

Zoti Martini, ju dje u shoqëruat në komisariat. Mund të na e shpjegoni pak rrjedhën e ngjarjes?

Ishte një ditë e zakonshme, kur shoh disa policë që po keqtrajtonin një civil. Nxjerr celularin dhe filloj të filmoj. Kjo ishte ngjarja fillestare që pashë, diku midis qendrës tregtare Toptani dhe ish-selisë së PD-së. Ata po e tërhiqnin zvarrë, unë vetëm i ndoqa deri te rruga Xhorxh W Bush në krahun tjetër të qendrës Toptani. Ishte një makinë e policisë, e njohën që ishte Astrit Serjani aktivist i aleancës për Teatrin. Në atë moment teksa isha duke filmuar polici më godet në dorë duke ma hedhur celularin nga dora

Ju pse ishit në atë moment në pedonale?

Unë po kaloja. Unë pashë që ata po e keqtrajtonin, nuk isha që në fillim. Pra nuk e dija se çfarë kish ndodhur më parë.

Policët e dinin që ju ishit aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit?

Nuk besoj që mund ta dinin se fytyra ime s’ka dalë asnjëherë publikisht tek Aleanca.

Për të tjerët e dinin?

Për Astritin po jam i bindur, sepse ai është figurë publike e Aleancës.

Si u sollën në komisariat?

Që në momentin që më hodhën telefonin në tokë, unë nuk kundërshtova, s’bëra asgjë. Më morën me forcë dhe më futën në makinën e policisë.

Ju keqtrajtuan aty?

Sjellja e policisë nuk ishte normale, mënyra se si më morën. Përderisa nuk kundërshton nuk ka nevojë as të shtysh as të gjuash me shkelma te këmbët. Nuk është burrërore t’i gjuash dikujt, për më shumë kur je dhe me uniformë.

Sa qëndruat në komisariat?

Mos gaboj ishim aty nga ora 7.15-7.39 deri në orën 10.30.

Jua thanë arsyen e shoqërimit?

Jo. Akoma dhe sot nuk e di.

Nuk ju morën në pyetje?

Na pyetën vetëm për versionin tonë të ngjarjes. Unë thashë po këtë gjë që vetëm po filmoja, nuk kam bërë as fjalë me policinë, as nuk e kam kundërshtuar dhe kur më morën forcërisht dhe më futën në makinë nuk kam kundërshtuar. Na futën në një korridor në krahun majtë të hyrjes kryesore së komisariatit. Na shoqëronin mos gaboj rreth dhjetë policë, dhe njëri nga ata më goditi me shqelm në fytyrë. Shenjat janë të dukshme poshtë nofullës, dhe te syri te balli. U mundova pak mbrëmë t’i mjekoja.

Për mendimin tuaj nga vjen gjithë kjo egërsi e policisë?

Nuk e di, por që nga 17 maji vërejmë që policia po tregohet çdo ditë dhe më e egër. Arsyeja, mund të jetë fundi i këtij regjimi, ose shpresa në rritje e njerëzve për largimin e tij. Por ne nuk do e lejojmë më që policia të sillet me ne në mënyrë të tillë.