Edhe nesër po të vijnë vaksinat anti-Covid, ato do të skadojnë të gjitha, ja pse! Eksperti paralajmëron Qeverinë

Mjeku i njohur, Artan Koni ka sfumuar propagandën e qeverisë për ardhjen e vaksinës anti-Covid në Shqipëri.

Dr. Koni shkruan në një postim në FAcebook se, vendi ynë jo vetëm që nuk e ka zinxhirin ftohës për minus 70 gradë që ka nevojë kjo vaksinë të ruhet, por nuk ka edhe asnjë informacion se çfarë po bën qeveria shqiptare për ta siguruar atë.

“Vaksina e gripit ruhet në temperatura 2 – 8 gradë e megjithatë çdo vit firon rreth 25% e këtyre vaksinave në rang botëror, si pasojë e problemeve të magazinimit apo transportimit nëpër pikat e vaksinimit.

Vaksina anti-COVID ruhet në temperatura -70 gradë. Nëse supozojmë se nesër vijnë këto vaksina në Shqipëri, ato do të skadojnë të gjitha, sepse për të ruajtur këtë vaksinë, na duhet zinxhiri i ftohjes…zinxhir të cilin nuk e kemi.

Përpara se të zëvendësojmë pemën e vitit të ri që u dogj gjatë protestave, na duhet të ngremë një zinxhir ftohës për temperatura shumë të ulëta.

Ministria e Shëndetësisë duhet të na tregojë cilët janë hapat konkretë që po merren në këtë drejtim.

Nëse vaksina e gripit ka 25% firo, sa firo do të ketë vaksina e COVID?!

Nuk e kemi luksin të humbasim as edhe një vaksinë COVID!”, shkruan Dr. Koni.