Kemi një kryeministër miop dhe një komitet të tredhur që na kanë rreshtuar përkrah vendeve afrikane

Nga Ilir ALLKJA
mjek 

MJAFT MË, BOLL MË !
(enough is enough)

Serbia dhe Greqia janë vendet e para në ballkan që nisin vaksinimin e popullatës ndaj COVID-19.

Serbia të hënën datë 21 dhjetor, ndërsa Greqia te shtunën date 26 dhjetor, por Shqipëria ende nuk ka një datë, megjithëse kryeministri i saj udhëtoi, kontaktoi e udhëzoi privatisht prodhuesit e vaksinës (kjo sipas deklaratës së tij!!!).

Asnjëri nga kryeministrat e ketyre vendeve nuk udhëtoi me tam-tamet e propagandës për në USA, gjoja për të kontaktuar me prodhuesit e vaksinës, por shtruan rrugën, ngritën e strukturuan zinxhirin e vaksinimit pa bujë dhe pa propagandë dhe realisht po fillojnë të vaksinojnë e mbrojnë stafet mjekësore, së pari.

Ndërkohë ne kemi një kryeministër gojëmadh por pa veshë, pa sy, një komitet të tredhur që i mban iso të leçiturit, dhe ndodhemi të rreshtuar përkrah vendeve afrikane, nën mëshirën e vendeve të zhvilluara e CoVax-it.

Gjithsesi edhe tek ne vaksina do të vijë, por prej mëshirës, siç do të shkojë tek vendet e botës së tretë, me shumë mundësi në momentet kur epidemia të jetë ndalur!

Tani mjaft më, boll më me propagandë, zotërinj!

Ju mjekët e komitetit do të mbaheni në historinë tonë si shpura groteske që i bëtë fresk marrëzisë së një kryeministri.

Ju e dini mirë që Shqipëria nuk ka as spitale, as mjekë e as qeverisje të krahasueshme me vendet e ballkanit z. Kryeministër, zotërinj komitetas, e jo që jo, standartet e Francës e Gjermanisë!

Miopia juaj na bëri fqinjë me Somalinë, e na ndau prej Greqisë, prej ballkanit!

Mjaft më zotërinj, mjaft!