Kreu i Vetëvendosjes tregon të tredhurit që sulmuan Vjosa Osmanin për llogari të Ramës

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Boiken Abazi, ka treguar me emra gazetarët, që kanë sulmuar Vjosa Osmanin, duke përdorur edhe epitete të papërshtatshme. Sipas kësaj lëvizje, ky sulm ndodh për llogari të Edi Ramës.

Në statusin e tij, Abazi i quan ata “mercenarë që i shërbejnë shefit të tyre, Edi Rama“.

“Disa “epitete” të përdorura këto 48 orë kundër Vjosa Osmanit, dhe burimet e tyre:

Gazeta Tema – “talebane”
Mero Baze (Gazeta Tema) – “jeniçere”
Frrok Çupi – “fluturake” + “majtiste ekstreme”
Dritan Hila – “shitëse buke”

Vjosa Osmani dhe Kosova nuk ka pse të mërzitet prej epiteteve dhe etiketave bosh të këtyre burrave të tredhur moralisht, politikisht e kombëtarisht. Ata thjesht i shërbejnë me zellin e mercenarit padronit të tyre të radhës, Edi Ramës, që u fsheh kur Vjosa Osmani tregonte të vërtetën mbi Serbinë”, shkruan Abazi.

Një ditë më parë Abazi kishte komentuar kështu: “Gabimi i pafalshëm i Vjosa Osmanit është se donte të bashkonte Kosovën me Shqipërinë në dënimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, pa marrë leje nga Vuçiçi. Edi Rama e ka shpjeguar disa herë, por (as) Vjosa Osmani nuk e ka kuptuar se Kosova me Shqipërinë bashkohen vetëm përmes Serbisë”.

Kujtojmë se pas vizitës së Vjosa Osmanit në Tiranë, ku u injorua nga kryeministri Edi Rama, por u prit me të gjitha nderimet nga opozita, një pjesë e mediave pranë pushtetit kanë nisur një sulm frontal ndaj saj.