Këmbanë alarmi që duhet ta dëgjojë çdo shqiptar

Nga Elona CASLLI

Riprodhimi i këndeve të emulacionit në faqet e kabinetit qeveritar aktual, është një këmbanë therëse alarmi që duhet ta dëgjojë çdo shqiptar.

Mjafton të vizitosh faqen e Ogerta Manasterliut (për fat të keq Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale), faqen e Evis Kushit ( për fat të keq Ministre e Arsimit) faqen e Edi Ramës (për fat të keq Kryeministër i Shqipërisë) dhe do të vësh re dendur, kënde emulacioni që nuk bëjnë gjë tjetër veçse riprodhojnë mentalitetin e realizmit socialist.

Nuk ndodh në asnjë vend evropian, që një Ministre e Arsimit, një Ministre e Shëndetësisë apo një Kryeministër, të shprehë një falenderim të personalizuar për një mësues apo për një mjek.

Ky fakt mund të verifikohet me shumë lehtësi. Mjafton të vizitoni profilet e ministrave dhe kryeministrave përkatës në Evropë dhe nuk do të gjeni asnjë falenderim apo mirënjohje të personalizuar, për faktin e thjeshtë se mësuesia apo mjekësia nuk mund të mbajë fytyrën e një individi të vetëm.

Qoftë mësuesia dhe qoftë mjekësia nuk kanë fytyrë, për sa kohë kemi mësues dhe mjekë nga veriu në jug të cilët punojnë në kushte të vështira dhe aspak dinjitoze dhe nuk bëjnë zhurmë askund në rrjete sociale dhe nuk dalin në fotografi çdo ditë që shkojnë në pavion.

Fatkeqësia në këtë rast është që personazhet që dalin në këndin e emulacionit, gëzohen më shumë se një fëmijë dy vjeç kur i jep lodrën e munguar.

Burra dhe gra në moshë, papritur tkurren në fëmijë dhe ndihen aq të vlerësuar që kanë dalë në tezgën e panairit të ministres apo të kryeministrit, sa nxitojnë të shpërndajnë postimin e këtyre të fundit, ku shfaqet emri dhe foto e të dalluarit.

Përkëdhelja e sedrës për të dalluarit, vazhdon me komentet që vërshojnë si lum i dalë nga shtrati, poshtë këndit të emulacionit, ku formulime tipike të realizmit socialist të llojit- Lum Shqipëria që të ka; Nderim për këtë figurë të lartë të kombit” etj. t’i qërrojnë sytë dhe të pickojnë në zemër, pasi lexohet qartë se kjo shoqëri nuk është ndarë mendërisht nga mentaliteti enverian.

Një ministre është krejt e lirë të shprehë mirënjohjen kundrejt stafit pedagogjik apo stafit mjekësor në vend, pasi janë ata që mbajnë peshën më të rëndë të kësaj shoqërie, por këtë duhet ta bëjë jo duke nxjerrë në tezgën e panairit një emër të përveçëm, por një falenderim dinjitoz të përgjithshëm.

Tezga e panairit në Feisbuk apo këndi i emulacionit me emra të dalluarish është një fyerje e drejtpërdrejtë për vetë të dalluarin apo të dalluarën dhe për çdo taksapagues shqiptar.

Post Scriptum- Kush do të shfaqet nesër në këndin e emulacionit?!