Bardhi publikon videon e përgjimeve: Shqiptarët presin ndëshkim duke nisur nga Rama te Gjiknuri dhe zyrtarët e tjerë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar sërish  ndaj mbylljes së dosjes 184 nga Prokuroria e Dibrës, duke akuzuar vetëm 4 zyrtarë apo ish-zyrtarë lokalë ndërkohë që janë lënë jashtë emra të rëndësishëm të cilët kanë shitblerë votën në Dibër.

Bardhi ka publikuar videon me përgjimet e zyratrëve të lartë në blerjen e votave në Dibër. Ai shkruan në reagimin e tij se, zyrtarët që duhet të përballen me ligjin për krimin e shitblerjes së votave në 2016 në Dibër janë Edi Rama, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Imer Lala, Dionis Ymeri, Pjerin Ndreu, por edhe të tjerë.

Ai gjithashtu merr shembullin e Robert Agës, ish-shefit të komisariatit Dibër që është marrë i pandehur duke shtruar pyetjes se për kë i vodhi zgjedhjet në 2016.

Kujtojmë se sot Prokuroria e Dibrës mbylli hetimet për dosjen 184 duke akuzuar vetëm 4 persona, përveç Robert Agës, edhe Drini Gjeci ish Drejtor i Arsimit në Dibër, dhe dy administratorët e njësive Tomin e Lurë, Nuri Meda dhe Hasan Hoti.

Postimi i Gazment Bardhit

Shitblerja e votave, e konstatuar nga prokuroria ka përgjegjës, së pari, Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Saimir Tahiri, Ulsi Manja, Imer Lalën, Dionis Ymerin, Pjerin Ndreun dhe të tjerët. Keta duhet të përballen me ligjin për krimin që kanë kryer.

Shqiptarët presin ndëshkimin e organizatorëve dhe nxitësve të krimeve elektorale. Loja e SPAK dhe ping – pongu me dosjen në segmentin Tiranë-Dibër, nuk është kurrë justifikim për mungesën e drejtësisë.