Zbulohet manipulimi i provave nga policia, arma që u gjet 100 metra nga nga vendi i krimit nuk ka qenë e Klodian Rashës

Gjurmët e gjetura në pistoletë nuk janë as të policit dhe as të Klodianit

Prokuroria e Tiranës ka zbuluar se, pistoleta e gjetur gati 100 metra nga vendi ku u vra Klodian Rasha, mbrëmjen e 8 dhjetorit nuk ka gjetur asnjë gjurmë gishtërinjsh dhe nuk ka prova që ajo mund të ketë qenë e Rashës.

Anëtarë të grupit hetimor konfirmojnë se nuk ka shenja gishtash as të personave të tjerë, kjo edhe për shkak të kushteve ku është gjetur, në një pellg me ujë.

Arma e zjarrit tip mini Glok u gjet në orët e para të 8 Dhjetorit, ndërsa pas verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve rezulton se ajo nuk i përket as viktimës as efektivit të shqiponjave.

Mësohet se, hetuesit janë në pritje të përgjigjes së disa gjurmëve biologjike të gjetura në të për të parë më pas se e kujt është kjo armë.

Një tjetër element që ka vështirësuar hetimet është edhe mungesa e kamerave të sigurisë në vendin ku ajo u gjet. Sakaq prokuroria ka rindërtuar dinamikën e vrasjes së Klodian Rashës, që nga ndjekja dhe deri tek momenti kur u qëllua.

Në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja, një prej plumbave ka prekur në garazhin e rrugicës ku u qëllua i riu dhe tjetri në trupin e viktimës.

Të dy plumbat janë qëlluar në një lartësi nga 120 deri 150 centimetra dhe kjo për hetuesit shpjegon faktin se efektivi Nevaldo Hajdaraj ka qëlluar në pjesët e sipërme të trupit dhe jo në gjymtyrët e poshtëm.

Për këtë pritet që akuza ndaj tij të rëndohet nga vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme në vrasje me dashje.