Vjedhjet me koncesionet/ Shqipëria merr kredi 80 milionë dollarë për të monitoruar PPP-të e Ramës

Banka Botërore ka miratuar së fundmi një kredi prej 80 milionë dollarësh, nëpërmjet së cilës do të ndihmojë Shqipërinë që të forcojë transparencën dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Sipas përshkrimit të projektit shihet se një pjesë e kësaj huaje do të shkojë për forcimin e kontrollit dhe transparencës së kontratave koncesionare me Partneritet Publik -Privat, të cilat konsiderohen si një ndër rreziqet kryesore fiskale të vendit.

Procesi i përzgjedhjes i deformuar
Banka Botërore këshilloi që të forcohet procesi i përzgjedhjes së kontratave koncesionare. Për shembull, në periudhën 2012-2018, gati 75% e kontratave të nënshkruara u iniciuan nga propozime të pakërkuara nga bizneset, në vend që këto të inicioheshin nga Qeveria. Kjo praktikë ka bërë që një sërë projektesh të integrohen dobët me strategjitë e përgjithshme sektoriale të qeverisë shqiptare, vë në dukje Banka. Për pasojë PPP-të nuk iu nënshtruan plotësisht procedurave konkurruese të tenderimit dhe kjo ka vënë rrezik objektivin për maksimizuar vlerën e parave publike

PPP nuk monitorohen sistematikisht
Banka Botërore vë në dukje se kontratat ekzistuese me PPP nuk janë monitoruar sistematikisht dhe informacioni mbi performancën e tyre mungon. Banka rekomandon krijimin e një kornize të centralizuar dhe gjithëpërfshirëse të monitorimit të portofolit ekzistues i PPP, duke mundësuar:

1) Ministrinë e Financave të menaxhojë më mirë rreziqet fiskale të PPP-ve dhe të mbrojë arritjen e synimeve fiskale.

2) Autoritetet duhet të nxjerrin mësime nga projektet e dobëta.

3) Qeveria duhet të informojë në mënyrë proaktive dhe transparente publikun në lidhje me performancën e PPP-ve të saj, duke rritur besimin e tregjeve në stabilitetin makrofiskal të Shqipërisë.

Rekomandohet ligj i ri
Nisur nga këto dobësi, Banka Botërore do të mbështesë financiarisht një reformë për të forcuar përzgjedhjen dhe monitorimin e PPP-ve në Shqipëri. Ky veprim mbështetet në miratimin e një ligji gjithëpërfshirës për PPP-të, duke vendosur një sërë masash që forcojnë procesin e menaxhimit të kontratave. Ky ndryshim kufizon përdorimin e propozimeve të pakërkuara në një grup të kufizuar sektorësh kompleksë teknologjikisht.

Autoritetet kontraktuese qeveritare duhet të punësojnë ekspertë të huaj për të vlerësuar propozimet e pakërkuara. Roli i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si roje në procesin e përzgjedhjes së PPP-ve duhet të forcohet.