Skandal/Drejtësia mbyll dosjen kriminale 184 të vjedhjeve të votave me vetëm 4 të akuzuar

Prokuroria e Dibrës përfundon hetimet për dosjen e bujshme 184 dhe merr të pandehur 4 persona me akuzën për “shpërdorim detyre” dhe “kanosje të zgjedhësve”. Ndërkohë që për të hetuarit e tjerë të dosjes çështja është pushuar për shkak të tejkalimit të afatit 3-vjeçar.
I pandehur Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, i akuzuar për shpërdorim detyre;

Drini Gjeçi, ish-drejtor i arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve;

Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin, akuzuar për shpërdorim detyre

Hasan Hoti, Njësia administrative Lurë, akuzuar për kanosje të zgjedhësve.

Për pjesën tjetër të personave nën hetim, Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli, etj është kërkuar pushimi i çështjes.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Prokuroria ka konstatuar se ata kanë kryer veprën penale të shitblerjes së votës por për shkak të tejkalimit të afatit 3-vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj s’mund të merrem në përgjegjësi penale. Dosja 184 kaloi të paktën 5 herë nga Dibra në Tiranë, Krime të Rënda, SPAK. Në fund SPAK e la në kompetencë të prokurorisë Dibër.

“Nën hetim kanë qenë një numër i madh personash. Prokuroria ka konstatuar se të gjithë këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë apo biznesmenë e kanë konsumuar veprën penale por për sa kohë është tejkaluar afati, vepra penale është parashkruar. Prokuroria ka marrë nënë hetim dhe veprimet e disa politikanëve, nga hetime ka rezultuar se zoti Gjiknuri nuk ka kryer vepër penale. Dosja 184 një nga dosjet më voluminoze që ka pasur Prokuroria për Krimet e Rënda dhe më pas SPAK.

Për herë të parë prokuroria konfirmon se një zyrtar policie është i përfshirë në kanosje të zgjedhësve dhe shpërdorim detyre. Dosja penale është dorëzuar tashmë në Gjykatën e Dibrës. Gjykatësi do të vendosë nëse do të merren të pandehur këta të akuzuar”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.