Raporti: Shqipëria, një nga 5 vendet me çmimet më larta në Europë dhe pagat më të ulta

Ndërsa INSTAT raportoi se çmimet u rritën mesatarisht me 1.4% në nëntor në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, një tjetër tregues i publikuar nga INSTAT, Indeksi i harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që bën krahasim me vendet e Europës, tregon se shtrenjtimi i çmimeve ka qenë më i lartë, me 2.2%.

Sipas INSTAT, Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Nëntor 2020 është 2,2%. Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,7% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 3,1%,“Pije alkoolike dhe duhan” me 1,6%,“Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,2%,“Argëtim dhe kulturë” me 1,0 %,“Komunikimi” me 0,5%,“Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,7 %,pasuar nga grupi “Shëndeti” 0,2 %.

Sipas grafikut të publikuar nga INSTAT, Shqipëria ishte e pesta në Europë për rritjen e çmimeve, ndërsa një muaj më parë ishte e katërta. Vihet re se në shumë shtete inflacioni është afër zeros, ose dhe negativ. Ndërsa në Shqipëri ai vijon të jetë pozitiv, i ndikuar kryesisht nga çmimet e ushqimeve, që zënë edhe peshën më të madhe të shpenzimeve të një familjeve shqiptare, me rreth 41%, nga 13% që është mesatarja europiane, sipas Eurostat. Për më tepër edhe nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit), duke dhënë ndikimin kryesor në këtë diferencë.

Në muajin Nëntor 2020, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është-0,9%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit“ Ushqime dhe pije joalkoolike” me2,4%,pasuar nga grupet “Transporti” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 0,4%,pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,1 %.

Ndryshimi vjen nga pesha më e lartë të frutave dhe perimeve në indeksin e harmonizuar

Në vitin 2017, për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasim sa më të mirë me vendet e tjera të inflacionit, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.