Pse kryeministri e ka humbur betejën me opinionin publik për vrasjen e Klodianit?

Nga Red VARAKU

Edi Rama e ka humbur përfundimisht fuqinë politike për të ndikuar në opinionin publik. Kjo jo aq nga aftësia e tij për të mashtruar sa herë ndodhet në vështirësi, por nga paaftësia e tij pêr të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë dhe për për t’u sjellë ashtu siç duhet të sillet një shtetar në rastet kur del zbuluar perversiteti i qeverisjes së tij.

Vrasja e Klodian Rashës është një nga ato momente, kur udhëheqësit heqin dorë nga spërdredhjet propagandistike dhe tregojnë aftësitë e tyre prej shtetari.

Por në vend që ta kthente në një operacion për zgjidhjen e këtij problemi , nëpërmjet zbardhjes së ngjarjes dhe ndëshkimit të përgjegjësve, ai edhe këtë tragjedi e konvertoi në një operacion piari për qeverinë e tij dhe në një mundësi për të sulmuar banalisht sërish kundërshtarët politikë.

Kjo sepse të gjithë e kanë të qartë që largimi i Leshajt nuk është i sinqertë, sepse nëse vërtetë ka një njeri i cili ka përgjegjësi direkte, jo vetëm morale për vrasjen e Klodianit dhe për përpjekjen e dështuar për të manipuluar ngjarjen, ai është drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu.

Pra, është e pakuptueshme të largohet vetëm ministri përgjegjësia e të cilit është në këtë rast vetëm morale dhe të mbetet në detyrë njeriu që mban përgjegjësi direkte për punën e policisë Ardi Veliu.

Kjo është arsyeja sepse largimi i Lleshajt jo vetëm nuk i dha zgjidhje problemit, por po kthehet kundër kryeministrit, sepse kjo ngjarje po perceptohet si një mundësi e artë që i erdhi Ramës për ta hequr qafe pa asnjë kosto ministrin e brendshëm, sepse ai kishte kohë që e kishte planifikuar largimin e tij.

Ndërsa sulmi ndaj kundërshtarëve politikë kur të gjithë e dimë që ata që dolën në protesta kundër tij janë kryesisht të rinj , deri dhe të majtë apo dhe pjesëtarë të ndershëm të shoqërisë civile, dëshmon paaftësinë e tij për të kuptuar rëndësinë e kësaj ngjarje në opinionin publik dhe mesazhin që ata po i dërgojnë atij.

Sigurisht, që plot zell mes tyre mund të jenë futur dhe kundërshtarët e tij politikë, por kjo është krejt normale aq më tepër në një kauzë që opinionit i duket e drejtë.

Me sa duket ai nuk e kupton që kjo ngjarje është shumë ndryshe nga të gjitha ngjarjet e tjera ku janë përfshirë në mënyrë kriminale autoritetet shtetërore. Ajo nuk mund të zgjidhet kurrsesi me spektakël. Zgjidhja e kësaj situate kërkon maturi dhe seriozitet, sepse bëhet fjalë për jetën dhe gjakun e një të riu të pafajshëm. Ajo është diçka që nuk toleron asnjë lloj mashtrimi.

Përpjekja për të mashtruar opinionin publik përmes blerjes së gjakut me para ,zëvendësimit të një ministri me një besnik të familjes së tij kriminale, mosshkarkimi i Ardi Veliut, është e qartë për të gjithë.

Kjo qasje dëshmon se prioritet i tij nuk është shërbimi ndaj qytetarëve, por prioritet i tij është vetëm pushteti.

Në vend që ta shndërronte në një mundësi dhe t’i përgjigjej në lartësinë e detyrës që ka marrë përsipër të kryejë, ai edhe këtë situatë e shndërroi në një cirk propagandistik, i cili mund të zbavisë deri diku mbështetësit e tij, por nuk do ta shuajë dot kurrë zemërimin që u ndez nga kjo vrasje.

Pra, Edi Rama e ka humbur betejën me opinionin publik. Ai e ka humbur përfundimisht fuqinë politike për të ndikuar në opinionin publik. Por, këtë jo aq nga kompliciteti i çështjes se sa nga paaftësia e tij për t’u sjellë siç duhet të sillet një shtetar në rastet kur cënohet gjëja më e shtrenjtë për qytetarët, jeta e tyre.