Protokolli i Kuvendit-Vjosa Osmanit: Gjyshi juaj nuk ka as varr, është varrosur në kënetën e Maliqit

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një vizitë 2 ditore në Tiranë. Gjatë ditës së djeshme ajo ka mbajtur dhe një fjalë në Parlamentin e Shqipërisë, fjalë që kryeministri i vendit e bojkotoi.

Por gjatë kësaj vizite ka ndodhur edhe një fakt i padëgjuar më parë, që SYRI.net e ka mësuar ekskluzivisht.
Vjosa Osmani ka kërkuar që të kishte mundësinë për të vendosur lule tek varri i xhaxhait të nënës së saj, Sulejman Vuçiterna.

Kërkesa mësohet se i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.
Por këta të fundit, me anë të protokollit i janë përgjigjur presidentes së Kosovës se Sulejman Vuçiterna nuk kishte varr, pasi ishte varrosur në kënetën e Maliqit duke mos ju gjetur eshtrat më.

Në Burgun e Vjetër të Tiranës, për katër muaj, kolonel Sulejman Vuçiterna iu nënshtrua torturave ç’njerëzore deri sa doli në Gjygjin Special, i cili u hap në fillimin e muajit mars 1945. Senacës gjygjësore për Sulejmanin u zhvillua në datën 29 mars, ku pati disa replika të ndërsjellta në mes tij dhe Prokurorit Bedri Spahiu. Në atë gjygjë avokat i Sulejmanit u caktua Spiro Stringa, i cili me profesionalizëm të lartë bëri të pamundurën për ta lehtësuar klientin e tij, duke gjetur si dëshmitarë për ta mbrojtur atë, disa persona, si: Hajri Jegenin, Gjon Llambushin e Fehmi Poshin. Po kështu një mbrojtje të madhe i bëri Sulejmanit, Habibe Delli, (nëna e Xhezmi Dellit, komunist ‘Hero i Popullit’), e cila ishte fqinje me familjen Vuçiterna.

Ajo shkoi vetë dhe deklaroi në sallën e gjygjit (pa e thërritur njeri), duke u shprehur: ‘Sulejmanin e njoh si njeri të ndershëm dhe shumë korrekt, pasi e kam komshi. Duke qenë oficer i lartë, në një rast e di që ai i ka shërbyer Lëvizjes. Kur Xhezmiut i ishte përgatitur pusia, ai i shpëtoi rrethimit, falë informacionit të zotit Sulejman, si dhe dërgimit të atij municioni qoftë dhe të vogël që ai kishte me vete.

Ai ishte simpatizant i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por vetë nuk doli në mal të luftonte, se ishte me një veshkë. Përse ky njeri duhet të jetë në bankën e të akuzuarëve si kriminelë?’ Pas kësaj, Gjygji Special, e dënoi Sulejmanin me 30 vite burg e punë të detyruar së bashku me Sokrat Dodbibën, Et`hem Carën, Anton Kozmaçin, Sami Kokën, Mihal Zallarin, Ndoc Naraçin e Lazër Radin. Sulejmani nuk ‘pati fatin’ t`a plotësonte dot dënimin e dhënë, sepse vdiq më 15 tetor të vitit 1945 në kampin e Vloçishtit, në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin, duke prerë vetë gishtat e këmbës me bel. Sipas disa dëshmive nga bashkëvuajtës të tij në atë burg, Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tija.