Djali i Sokol Olldashit tallet me partitë e Patozit dhe Topallit: Janë…

Djali i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi, ka dhënë një intervistë për Euronews Albania, ku flet për angazhimin e tij në Partinë Demokratike dhe forcat e rejat politike që janë krijuar në Shqipëri.

Olldashi komentoi edhe partitë e Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit, një nga miqtë më të afërt të babait të tij, duke i quajtur “parti mllefi dhe inati”, të cilat nuk do të ketë asnjë impakt, nëse PD do të ketë kandidatë të mirë.

“Ata kanë bërë zgjedhjet e veta, nuk mund të gjykoj sepse unë jam djali i tyre në moshë. Ata të gjithë kanë bërë gjykimin e vet. Sa i përket ndikimit në zgjedhje, varet nga kandidaturat e PD. Nëse PD do ketë kandidatura shumë të mira, ndikimi i tyre do jetë zero. Janë parti inati, mllefi. Pra, votuesit e Jozefinës, Astritit janë votues që votojnë me mllef dhe nuk do të votonin PD nëse nuk do të ishin këto parti”, shprehet Glauk Olldashi.

Më tej Olldashi foli edhe për protestat e fundit dhe deklaroi se i ka mbështetur ato.

“Unë i kam mbështetur me gjithë shpirt protestuesit dhe kam qenë plotësisht dakord me protestën. Mund të thotë dikush që kishte akte dhune, djegie koshash. Natyrisht që nuk është e hijshme, por edhe të arrestosh 400 fëmijë, të tërheqësh zvarrë 13-vjeçarë se thyen një xham, t’i gjuash me gaz. Protesta nuk ka qenë, politike ka qenë duf”, thotë ai për Euronews.

Glauk Olldashi është angazhuar në PD në forumin rinor dhe ka qenë aktiv në protestat dhe manifestimet që ka zhvilluar kjo parti.